“Hanë dreka-darka”; Kujtim Gjuzi kundërshton financimin e partive: Po i jepni para atyre që braktisën Kuvendin
Seanca e sotme plenare, nisi me një debat të shkaktuar prej deputetit Kujtim Gjuzi. Deputeti Gjuzi kundërshtoi faktin që partitë e opozitës që braktisën Kuvendin të trajtohen me financimin nga buxheti i shtetit.
Gjithashtu, deputeti Gjuzi kritikoi mospraninë e ministrave të mazhorancës në seancë.
“Partitë që braktisën parlamentin, KQZ i trajton ato me ndihmë financiare, parti që braktisën Kuvendin, që kërkuan të futen me forcë në Kuvend, por falë opozitës së përgjegjshme këtu Kuvendi vijoi punimet”.
“Sa i përket financimit të partive ka një ligj, financimi bëhet për ato subjekte politike që kanë marrë pjesë në zgjedhjet paraardhëse”, replikoi kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.
Më tej Gjuzi shtoi:
“Kam kërkuar interpelancë me Ministren e Infrastrukturës, nuk e shoh as në këtë seancë e mëparshme dhe as në seancën e kaluar. Nuk kanë arsye ministrat të mos vijnë këtu në momentin që hanë dreka-darka me paratë e taksapaguesve shqiptarë. PS është partia që ka pjellë ato partitë e tjera që Kuvendin e lanë bosh”.
Fraksion.com