Basha: 200 mijë lekë të vjetra sipërmarrësve për çdo punonjës që rikthen në punë
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ishte sot në një fasoneri në Lezhë. Gjatë bisedës me administratoren Brunilda Shytaj, Basha u njoh me situatën e vështirë të këtij biznesi, që ka reduktuar numrin e punonjësve, pasi e ka të pamundur të paguajë pagat e tyre.
“COVID-i na ka shkatërruar psikologjikisht, ekonomikisht, gjithsecilin në çdo anë. Punonjëset pa punë, familjare të gjitha. Mbështetje nuk kemi. Kemi ardhur nga emigrimi për një jetë më të mirë, problemi qëndron që duhet të rikthehemi prapë në janar. S’kemi ç’të bëjmë për fat të keq! Këto janë kushtet që ofron vendi ynë për momentin. Ishin 40 në mars dhe arritëm këtu. Tani janë 12 veta”, tha ajo.
“Ne do të largojmë të keqen dhe do të bëjmë gjithçka që ju që jeni kthyer këtu, mos t’ju shkojë dëm sakrifica. Të keni mundësinë të punoni e të prodhoni e të mbani njerëzit në punë dhe ta bëjmë Shqipërinë vendin më atraktiv për investimet e tjera, jo të largojmë këto investime që na kanë ardhur”, iu drejtua Basha administratores së biznesit fason.
Kryetari Basha tha se qeveria e ardhshme do të jetë në krah të qytetarëve dhe sipërmarrjes.
“Ju jeni shembull! Ju jeni shembull që qeveria e ardhshme do ta inkurajojë, që të tregojë dhe për emigrantët e tjerë, që duan të investojnë të ardhmen e tyre, ëndrrat e tyre, kapitalin e tyre, që në Shqipëri mund t’ia dalin, jo që në Shqipëri nuk i dilet, se përndryshe vendi s’ka të ardhme. S’mund të vazhdohet kështu”, tha kreu i PD.
“Janë 7 vite që vazhdohet kjo mënyrë. Tani ka ardhur momenti t’i themi boll dhe të hapim një rrugë të re, të fillojmë ndryshimin. Është në dorën tonë. Shumica absolute e shqiptarëve e duan këtë ndryshim. Është në dorën tonë ta bëjmë të mundur. Jam i sigurt, në qoftë se ne nuk krijojmë disa kushte bazë, ju s’keni asnjë arsye të largoheni”, u shpreh Basha.
Basha iu rikthye edhe njëherë planit të propozuar prej tij, që synonte të ndihmonte biznesin dhe qytetarët.
“Ky është plani ynë. T’i japim çdo sipërmarrësi 200 mijë lekë të vjetra për çdo punonjës që rikthen në punë. Për shembull në qofte se ti ke pasur 40 dhe ke hequr gjysmën apo më shumë të marrësh 200 mijë lekë të vjetra për këdo nga ata që do rikthesh në punë për 6 muaj. Pra, kjo është ndihma e parë. Ndihma e dytë që mund t’ju japim është akses në kredi me garanci nga shteti, me një interes jo më të lartë se 2%, ku bie fjala për shpenzime operative apo investime kapitale. Në qoftë se ju duhet për të marrë borxh, për të marrë rrogat e punonjësve, 0%”, tha Basha.
“Nuk ka pse të jetë gjendja kështu, ka mundësi. Në qoftë se ka mundësi Kosova, ka mundësi Maqedonia, ka mundësi dhe Shqipëria ta bëjë, por ka munguar vullneti. Kanë nxituar për t’i marrë lekët për t’ia çuar një grushti klientësh, në vend që të ndihmojnë njerëzit, të ndihmojnë ekonominë”, theksoi Basha.
“Dhe unë të garantoj që kësaj do t’i japim fund dhe nuk duhet ta lëshojmë veten, do të bëhemi bashkë, duhet të jemi bashkë, të gjithë. Me ju në krah, me të gjithë shqiptarët e ndershëm në krah, pavarësisht prej bindjeve politike do bëjmë të mundur që taksat e shqiptarëve të shkojnë në radhë të parë te shqiptarët. Se të gjithë nga ju paguani taksa. Kushdo paguan taksa. Edhe ajo TVSH-ja që paguan kur blen ushqimet, prapë shkon në buxhetin e shtetit. Për çfarë harxhohet? Kjo është çështja. Unë ju jap fjalën që prioriteti absolut do të jetë ndihma financiare për çdo familje dhe ndihma për ekonominë. Pastaj edhe kjo puna në mes të pandemisë, ju nuk punoni, vijnë ju sjellin prapë taksat, gjobat, çdo gjë, faturat”, u shpreh Basha.
Fraksion.com