“Pandemia thelloi krizën e keqmenaxhimit”; Tabaku: Financat publike dhe ekonomia në katastrofë
Ish-deputetja e PD-së Jorida Tabaku deklaroi sot se raporti i FMN është alarmant për përkeqësimin e ekonomisë shqiptare.
Në një deklaratë për mediet, Tabaku shprehet se raporti i FMN ishte i qartë dhe i prerë duke treguar, sipas saj, katastrofën në të cilën ndodhen financat publike dhe ekonomia.
“Mesazhi kyç dhe më i rëndësishëm nga FMN lidhej me kujdesin ndaj qytetarëve, sidomos ato vulnerabël të cilët qeveria i ka braktisur pasi zgjodhi PPP-të përpara shqiptarëve, zgjodhi pagesat ndaj koncesioneve të oligarkëve përpara pagesës së nevojave të shqiptarëve në mes të pandemisë. FMN është mëse e qartë dhe e shkruan e zeza mbi të bardhë se: Shqipëria ka paketën më të ulët në rajon për mbështetjen e pandemisë dhe kjo ka rezultuar në impaktin më të madh negativ të krizës në xhepat e shqiptarëve dhe buxhetin e shtetit”, u shpreh Tabaku.
“Kriza që ka prekur xhepat e shqiptarëve dhe më tej gjithë ekonominë e vendit përkthehet në një krizë të madhe që do të shoqërohet me një recesion ekonomik sa 7.5% e PBB-së. Kjo do të thotë një krizë edhe më e thellë në tavolinat e shqiptarëve, një rënie e të ardhurave në xhepat e qytetarëve, më shumë biznese të mbyllura dhe më shumë të papunë”, tha ajo.
Tabaku shton se paralajmërimi i opozitës që vjen si qëndrim edhe i FMN, lidhet me ndikimin afatgjatë që kjo krizë do të ketë në ekonominë tonë.
“Kjo krizë e ka emrin depresion, i cili po thellohet nga keqmanaxhimi i Ramës e do të ndikojë në rënien e mëtejshme të PBB-së edhe në vitet në vijim. Kjo do të thotë një rritje e detyrimeve që çdo shtëpi do të ketë tek marketi i lagjes, mungesë të ardhurash dhe ulje të sigurisë në vend. Vendi do të përballet që në fillim të 2021 me një borxh publik sa 81.9% e PBB-së pa përllogaritur detyrimet ndaj PPP-ve. Ky buxhet nuk ofron asnjë mbështetje dhe asnjë burim dhe strategji për rritjen dhe pritet që kontraktimi i madh ekonomik dhe rritja e deficitit fiskal do të rrisin borxhin publik sipas FMN në 81.9% të PBB në fund të 2020, me skenarin për të shkuar në 88% pa PPP në vijim”, vijoi Tabaku.
Sipas saj, kjo është një situatë alarmante po të mendosh që Shqipëria është e dyta në rajon për Borxhin Publik sipas të dhënave të FMN dhe kjo situatë ka qenë shkak për mungesën e ndihmës ekonomike.
Tabaku shprehet se buxheti i shtetit po demostron sot të gjitha problemet e akumuluara gjatë keqqeverisjes së Ramës.
“Tërmeti dhe më tej pandemia kanë evidentuar problemet kronike që kanë ardhur si pasojë e keqpërdorimit të taksave të shqiptarëve. Raporti thekson detyrimet e prapambetura që sipas KLSH kanë arritur në pothuajse 600 mln euro dhe janë duke cenuar rëndë financat publike. Këto të fundit po rrezikohen prej tenderimeve jashtë buxhetit, prej rritjes së korrupsionit, prej parashikimeve jashtë realitetit, prej projekteve të paqëndrueshme dhe prej PPP-ve të cilat pritet që në 2021 të arrijnë nivelin 50% të PBB”, tha ajo.
Sipas Tabakut, Shqipëria sot vuan lakun fiskal që e ka kapur prej fyti që në vitin 2014.
Fraksion.com