AktualitetRajoniTë fundit

Borrell: Zgjidhja e problemeve në Ballkan, thelbësore për rolin e BE-së në botë

Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha të martën se zgjidhja e problemeve në Ballkanin Perëndimor është përgjegjësi e Bashkimit Evropian dhe se zgjidhja e tyre është thelbësore për rolin ndërkombëtar të bllokut në të ardhmen.

Ai i bëri këto komente gjatë një debati kushtuar 10 vjetorit të themelimit të shërbimit të jashtëm të Bashkimit Evropian, një degë kjo e politikës së jashtme të BE-së, në të cilën morën pjesë edhe dy ish udhëheqësit e këtij shërbimi, Federica Mogherini dhe Javier Solana.

Zoti Borrell që lehtëson bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë tha se Bashkimi Evropian është i vetmi institucion që mund të ofrojë të ardhme për këto dy vende.

“Ne jemi shumë të lumtur që duan të na ndihmojnë (amerikanët) dhe ka vend për të gjithë, por ai që duhet të udhëheq, të jetë në krye dhe përgjegjës është Bashkimi Evropian sepse vetëm Bashkimi Evropian mund të ofroj mundësi shumë të rëndësishme për njerëzit atje që është ardhmëria evropiane”, tha ai duke nënvizuar rëndësinë e zgjedhjes së problemeve në Ballkan për rolin e Bashkimit Evropian në botë.

“Nëse nuk mund të zgjidhim problemet në fqinjësi (Ballkan) atëherë si mund të pretendojmë të jemi aktor i rëndësishëm global”, tha ai.

Ish shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Javier Solana, i cili ishte sekretar i përgjithshëm i NATO-s në kohën luftës në Kosovë tha se Bashkimi Evropian duhet të vazhdojë bisedimet me Kosovën dhe Serbinë ndërsa bëri thirrje për përshpejtim të integrimit të Serbisë në bllok për ta larguar atë nga ndikimi rus.

Bisedimet Kosovë –Serbi të lehtësuara nga Bashkimi Evropian, që ishin ndërprerë në fund të vitit 2018 për shkak të tarifave të vendosura nga Kosova ndaj mallrave serbe rifilluan në muajin korrik. Megjithatë të dyja palët vazhdojnë të mbajnë qëndrime të kundërta për tema të ndryshme. Takimi i fundit ndërmjet të dyja palëve është mbajtur në fund të muajit tetor në nivel të grupeve të ekspertëve dhe përfundoi pa ndonjë përparim.

Pala serbe po kërkon që në bisedime të diskutohet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërsa Kosova e quan tashmë çështje të mbyllur.

Serbia kërkon që ky mekanizëm të krijohet sipas marrëveshjes së arritur në vitin 2015, që parasheh përgjegjësi të gjera në disa fusha, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte gjetur shkelje të shumta në marrëveshje dhe sipas opinionit të saj, asociacioni mund të krijohet vetëm sipas kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

Serbia kërkon ndryshime në Kushtetutën e Kosovës për të mundësuar kalimin e më shumë përgjegjësive ekzekutive tek asociacioni i komunave me shumicë serbe. Por, Kosova kundërshton çdo ndryshim që do t’i jepte përgjegjësi ekzekutive një asociacioni të tillë.

Kundër kërkesave të Serbisë, për Asociacion me kompetenca ekzekutive u shprehën të martën edhe deputetët e partive politike parlamentare të Kosovës gjatë një debati të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës me temën “Kuvendi përballë dialogut Kosovë-Serbi”.

 

Fraksion.com