AktualitetBota+Të fundit

Pampuri: Pajisjet antiCovid u blenë 3 herë më shtrenjtë, heshtja nuk mbulon të vërtetën

Ish-deputetja e PD-së Orjola Pampuri risolli sot akuzën e një dite më parë se pajisjet antiCOVID u blenë 3 herë më shtrenjtë dhe qeveria shpalli fituese ofertën më të lartë.

Në një deklaratë për mediet, Pampuri tha se “hallet e njerëzve të zakonshëm nuk janë hallet e qeverisë që na drejton edhe për pak muaj”.

“Ne publikuam një ditë më parë një nga rastet më të rënda të vjedhjes me tendera në kohë pandemie. Qeveria ka dhënë një tender me 3-fishin e çmimit për të blerë pajisje anticovid”, tha ajo.

Sipas Pampurit, kompania së cilës i është dhënë tender 3 milionë euro, me 3-fishin e çmimit, kishte ofertën më të lartë.

“Me 3 milionë euro, mund të bliheshin 3 herë më shumë pajisje mbrojtese për mjekët dhe personelin shëndetësor. Mund të ishin blerë 3 herë më shumë veshje speciale, çizme, syze, maska mbrojtëse. Kjo nuk ndodhi as këtë herë, sepse qeveria ka vendosur të vjedhë edhe tek pajisjet qe mbrojnë mjekët. Shqipëria është një vendet me numrin më të lartë të mjekëve që kanë humbur jetën për shkak të COVID-19”, u shpreh Pampuri.

“Heshtja e tyre nuk e mbulon dot të vërtetën, të cilës ne do t’i shkojmë deri në fund për hir të mijëra e mijëra qytetarëve të braktisur në mëshirën e fatit dhe qindra-mijëra të tjerëve që duan siguri për jetën, punën dhe shëndetin”, tha Pampuri.

 

Fraksion.com