“Minë me sahat”; Topalli: Borxhi në nivele të paqëndrueshme, rrezik në fazën e rimëkëmbjes
Kryetarja e partisë “Lëvizja për Ndryshim”, Jozefina Topalli, ish-nënkryetare e Partisë Demokratike dhe e Kuvendit, deklaroi sot se borxhi publik po kthehet në një rrezik edhe më të madh se pandemia.
Ajo tha se buxheti i shtetit i 2021 ka kaluar pa zhurmë, kur në fakt ai përbën një alarm.
“Mina me sahat mbetet borxhi publik. Është pranuar që ai u rrit këtë vit dhe zyrtarisht ka arritur në 80% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Duke përfshirë dhe detyrimet e prapambetur dhe detyrimet jashtë bilancit të PPP-ve, borxhi real pritet të kalojë 90% të PBB-së, duke arritur në nivele të paqëndrueshme, duke u kthyer në një rrezik edhe më të madh se pandemia, në momentin që kjo e fundit, me shpresë, do të mbarojë dhe vendi do të përqendrohet te rimëkëmbja”, shprehet Topalli.
Duke iu referuar analistëve të ekonomisë, Topalli shprehet se “paradoksi tjetër është që angazhimi kontraktual me koncesionet i lë më pak hapësirë buxhetit që të përdorë paratë e taksapaguesve në emergjencën e krijuar nga Covid-19″.
“Në projektbuxhetin e vitit 2021, fondi në dispozicion për 13 kontrata koncesionare aktive, sipas parashikimeve në relacionin e projektbuxhetit 2021 është 14.5 miliardë lekë (gati 120 mln euro), me rritje 42% në krahasim me 2020-n. Gjithnjë e më shumë po bëhet e qartë se në pjesën më të madhe, në këto kontrata, risku financiar është marrë përsipër nga shteti (vlera e disa prej tyre vijon të rritet çdo vit), ndërsa raporti kosto-përfitime nuk po anon nga taksapaguesit”, shprehet ajo.
Topalli shton se “mungesa e transparencës për rindërtimin është një tjetër element. Buxheti parashikon një fond për rindërtimin prej 28 miliardë lekësh (rreth 230 milionë euro), por në tabelat dhe relacionin e tij nuk është bërë asnjë parashikim i detajuar, për mënyrën se si do të shpenzohen fondet”.
“Pabarazia dhe pasiguria janë binomi i trishtimit dhe i ikjes nga ky vend. As nuk ka shpresë, as nuk ka më perspektivë nëse nuk largojmë Edi Ramën dhe ata që e mbajnë në qeveri për interesat e tyre financiare”, tha ajo.
Fraksion.com