Mbi 60 familje në Gjepalaj të Shijakut do festojnë Vitin e Ri në banesat e reja
Kryeministri Edi Rama ishte sot në Gjepalaj, Shijak, në shtëpitë e reja të familjeve Gjepali, Rusi dhe Doda që ashtu si edhe 58 familje të kësaj njësie, 400 gjithsej në bashkinë e Shijakut, do ta festojnë Vitin e Ri brenda tyre.
“Pas një mundimi e durimi të madh këto familje do të jetojnë në kushte pakrahasimisht më të mira se ato që kishin një vit më parë”, tha Rama.
Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj informoi se në bashkinë e Shijakut do të kemi rreth 400 banesa të përfunduara në 31 dhjetor 2020.
“Kemi nevojë t’i shtyjmë firmat të punojnë me dy turne, por midis marsit dhe majit të vitit tjetër të gjitha banesat që kanë nisur do të kenë përfunduar”, tha Ahmetaj.
Po ashtu ai theksoi se “kemi lejuar që një pjesë e banorëve ta marrin shumën e përcaktuar në dorë dhe t’i bëjnë vetë shtëpitë”.
“Këtu në Shijak kemi rastin e 6 familjeve që përfitojnë sipas ligjit, përmes këtij instrumenti të ri. Ata kanë mundësi të marrin paratë dhe të ndërtojnë sipas kërkesë dhe nevojës së tyre”, tha Ahmetaj.
Ndërkohë kryetari i bashkisë Shijak, Elton Arbana u shpreh se “në këtë njësi po ndërtohen 120 banesa individuale”.
“Kemi ulur ndjeshëm familjet në çadra. 250 familje kanë marrë përfitime nga programi i granteve dhe kanë hyrë në shtëpitë e meremetuara. Po ashtu kemi ulur ndjeshëm dhe numrin e familjeve që janë në programin e qerasë”, tha ai.
Fraksion.com