AktualitetPolitikëTë fundit

Basha: Rindërtimi me ritme të ngadalta, pandemia alibia e qeverisë

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha akuzoi sot qeverinë se ka shpenzuar paratë publike për tendera të panevojshëm, ndërsa procesi i rindërtimit, sipas tij ka ecur me ritme të ngadalta.

Gjatë një interviste në medie, Basha u shpreh se paratë për shtëpitë individuale mund t’u rimbursohen drejtpërdrejt familjeve për t’i ndërtuar vetë.

Ndërsa u bëri thirrje donatorëve dhe organizatave humanitare që të bëjnë ç’të munden në këto 5 muaj, për të shpëtuar jetë dhe shëndetin e njerëzve në çadra.

“Dhe tani pas një viti të vazhdosh të flasësh për firmosje marrëveshjesh kur kishe premtuar që brenda një viti secili prej tyre do të ketë një shtëpi të re, dakord qeveria mund të thotë pandemia e ngadalësoi disa prej proceseve. Le ta marrim të mirëqenë këtë, ndonëse unë ndaj një pikëpamje tjetër. Unë ndaj pikëpamje që koha e pandemisë duhet të ishte përdorur me sukses për punimin e të gjithë projekteve edhe strategjive, projekteve të ndërtimit dhe strategjive ku siç kemi thënë prej fillimit strategjia më e shpejtë për të ndihmuar familjet individuale që ju prishën shtëpitë ishte të disbursoheshin menjëherë me shumë monetare për ti riparuar ato që ishin të riparueshme dhe për t’i rindërtuar ato që ishin të pariparueshme”, deklaroi Basha.

Basha akuzoi qeverinë edhe për propagandën, nga e cila tha ai, dëmtohen interesat e qytetarëve.

Më tej, ai premtoi se nëse PD vjen në pushtet pas zgjedhjeve të 25 prillit, procesi i rindërtimit pas tërmetit do të jetë prioritet, ashtu si edhe jeta dhe shëndeti i qytetarëve.

“Për ne gjithçka që ka të bëjë me jetën, shtëpinë dhe shëndetin e qytetarëve do të jetë prioritet absolut që do të thotë çdo gjë që është bërë keq do të korrigjohet e do të futet në rrugën e përshpejtimit, nuk ka shans të ngadalsojmë diçka apo t’i lëmë njerëzit të presin më gjatë edhe për këtë ne kemi dhënë prova sepse kur ka qenë fjala për investime publike në dobi të qytetarëve, në dobi të ekonomisë, në dobi të familjeve shqiptare kemi provuar se mund të thyhen edhe afate në dukje të pathyeshme, në dy vite është bërë rruga e kombit, për më pak se 1 vit e gjysmë u shpua masivi i Elbasanit dhe u lidh Tirana me Elbasanin”, tha ai.

 

Fraksion.com