AktualitetPolitikëTë fundit

Heqja e titullit “Qytetar Nderi” të Kukësit për Veton Surroin, Kodheli: E kam për nder që jam bashkëkohëse e tij, veprimi më shumë se i gabuar

Deputetja Mimi Kodheli, e ftuar në emisionin “Kjo javë” në “News 24”, e pyetur në lidhje me faktin se këshilltarët në Kukës vendosën që t’i heqin titullin “Qytetar Nderi” të Qarkut Kukës Veton Surroi, tha se e ka njohur personalisht publicistin e njohur dhe se është krenare që është bashkëkohëse e tij.

“E kam për nder që jam bashkëkohës i Veton Surroit. Ai është një publicist dhe analist që ia vlen të lexohet, të debatohet me të padiskutim. Veprimi është më shumë se i gabuar. Duket si vendim gati infantil”, tha Kodheli.

Mimi Kodheli theksoi se e djathta duhet të jetë më e bashkuar, me qëllim që të shoh më mirë sfidat e saj.

“E djathta sot është e copëtuar, nuk ka një program, nuk ka mendim të qartë, ka përçarja. Kjo e bën të thyeshme. Unë nuk fërkoj duart pse opozita është e tillë. Opozita duhet të jetë, sepse pa të demokracia nuk mund të funksionon. Problemi është se nëse ata do vijnë në pushtet, nuk e kanë të qartë se çfarë do të bëjnë. Programet e tyre janë bazuar në baltë të hedhur në drejtim të kundërshtarit”, u shpreh Kodheli.

E pyetur për kasetën që mund të ketë fshehur lideri demokrat Lulzim Basha për krimet ndaj shqiptarëve në Kosovë, Kodheli deklaroi se nuk mund të flasë dot pa pasur prova, por shtoi se shqiptarët duhet të bëjnë më shumë për të zbardhur krimet serbe në Kosovë.

“Unë besoj kur shikoj dhe prek. Ka organe kompetente që duhet të zbardhin shumë ngjarjeve dhe ndodhive e që shqiptarët të sqarohen e të mos luhet politikisht me akuza. Unë besoj se nuk është hedhur dritë sa duhet për luftën e Kosovës, ashtu sikundër është abuzuar me histori para ose pas asaj periudhe. Ne duhet të punonim si shqiptarë më të bashkuar, për t’i vënë pikat mbi I për luftën e UÇK që të dalim ballëhapur me veten dhe ndërkombëtarët në lidhje me atë që ka ndodhur në Kosovë. Është e çuditshme sesi ata që bënë gjenocid gjejnë të pamundurën për të justiifikojnë atë që ka ndodhur. Të hidhet dritë mbi luftën që UÇK ka bërë”, përmbylli Kodheli./BW

 

Fraksion.com