AktualitetBota+Të fundit

SHBA, rekord shtrimesh në spital me COVID

Në SHBA numri i pacientëve me COVID-19 që po trajtohen në spitale arriti në 90 mijë të premten pas një dyfishimi në muajin e fundit. Ndërkohë ekspertët presin që grumbullimet familjare me rastin e festave të sjellin një valë tjetër infeksionesh.

Shkalla e shtrimeve në spital, tashmë në nivelin më të lartë që nga fillimi i pandemisë, ka bërë që disa spitale të tejkalojnë kapacitetet pritëse të tyre. Kjo situatë vjen pas disa javësh rritjeje të nivelit të infeksioneve në të gjithë vendin.

Në një përpjekje për të zbutur valën me infektime të reja gjatë dimrit, më shumë se 20 shtete kanë vendosur kufizime të reja, përfshirë urdhra për mbajtjen e detyruar të maskave si dhe kanë kufizuar numrin e atyre që frekuentojnë baret, restorantet dhe objektet fetare.

Sipas të dhënave të universitetit Johns Hopkins prej fillimit të pandemisë në SHBA janë regjistruar më shumë se 264 mijë vdekje dhe mbi 12.9 milionë të infektuar me COVID-19.

Të mërkurën Gjykata e Lartë amerikane vendosi kundër një urdhri të Guvernatorit të Nju Jorkut Andrew Cuomo, që kufizonte numrin e atyre që shkojnë në objektet e kultit, duke votuar 5 me 4 në favor të kërkesave të bëra nga një Dioqezë Katolike dhe dy kongregacioneve Hebreje Ortodokse që kërkonin që ky urdhër të bllokohej.

Zoti Cuomo e hodhi poshtë vendimin si “të parëndësishëm”, duke thënë se ai lidhej me ato objekte adhurimi në zona të veçanta që tashmë nuk konsideroheshin më me rrezik të lartë. Sidoqoftë vendimi mund të ketë pasoja më të gjera për institucionet fetare të tjera që mund të kundërshtojnë kufizimet në kapacitetin e grumbullimet brenda tyre.

Në fillim të kësaj jave, Kryebashkiakja e kryeqytetit të vendit Uashington Muriel Bowser tha se kufizimet e fundit për shkak të COVID-19 do të zbatohen edhe për grumbullimet gjatë shërbesave fetare, duke ulur kapacitetin nga 100 në 50 persona, me një maksimum prej 50 për qind të kapaciteteve pritëse. Nuk dihet ende nëse do të ketë ndonjë ankim ndaj kësaj mase, nisur nga vendimi i Gjykatës së Lartë./VOA

 

Fraksion.com