“Mos ejani vonë në spitale”; Manastirliu: Mos dëgjoni ata që thonë se nuk ka shtretër
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, duke i bërë apel sot qytetarëve të vijnë në spitale tha se “ju them me zemër mos ejani vonë në spitale, mos dëgjoni ata që dalin e thonë që mjekët nuk shërbejnë, që nuk ka shtretër. Nuk e bëjnë për ju, e bëjnë për hallin e pushtetit të tyre, kanë hallet e bizneseve të tyre, si atëherë kur ju dha mundësia dhe e lanë shëndetësinë në gërmadhë”.
Në fjalën e saj në Kuvend, Manastirliu theksoi se “nuk është koha për retorika boshte, nuk është koha të dëgjoni ata që nuk janë kujdesur ndonjëherë për ju, nuk është koha për ata që e lanë shëndetësinë të vuante e të hiqte si një kufomë është koha për të besuar autoritetet shëndetësore është koha për të besuar ekspertët”.
Duke bërë një parashtrim të të gjithë situatës COVID-19 që ka prekur vendin tonë, Manastirliu tha se “do kisha dashur shumë që sot të dilja përpara jush si ministrja e Shëndetësisë në një kohë paqeje, ku të diskutonim të tjera projektligje për sistemin shëndetësor, për të diskutuar vetëm për ato çfarë krijojnë premisat e reja, ligjet e reja, reformat në shëndetësi dhe të gjithë investimet që në fakt edhe pse në një kohë pandemie nuk i kemi lënë mangët, por e vërteta është se të gjithë e dimë se po jetojmë në një kohë lufte, sot kam përgjegjësinë morale, ligjore dhe profesionale t’ju bëjë me dije punën që kemi bërë deri më sot për përballimin e situatës krijuar nga COVID-19”.
Ajo çfarë dua që t’ju them, vijoi ministrja, është se kur ne mendonim se po kuronim plagët shumëvjeçare të sistemit shëndetësor, dalë nga një prapambetje prej dekadash, zvarritur dhe nëpërkëmbur dhe vitet e gjata të tranzicionit, Shqipëria do të pësonte dy goditje të mëdha, tërmetin e 26 Nëntorit 2019 dhe pandeminë COVID-19.
“Dy sfida të jashtëzakonshme që na vunë të gjithëve në provë e sidomos sistemin Shëndetësor. Vunë në provë dhe forcën e karakterit të të gjithëve ne. Falë ndërhyrjes së menjëhershme dhe menaxhimit të suksesshëm nuk lejuam që pasojat e këtij tërmeti të shkaktonin një krizë humanitare”, – tha Manastirliu.
Ministrja Manastirliu u shpreh se “në çdo fazë të kësaj pandemie ku po përmbyllen 9 muaj sfidues kemi ecur sipas strategjive nga ekspertët më të mirë në vend, nën drejtimin e një Komiteti Teknik të Ekspertëve nënë udhëzimet e OBSH, me udhëzimet të instituteve ndërkombëtare të vendeve si Gjermania e Italia. Qeveria shqiptare i është përgjigjur në kohë duke garantuar financimin e shpejtë për forcimin e kapaciteteve të sistemit tonë shëndetësor. 25 milion euro u vunë menjëherë në dispozicion të sektorit për kapacitetet laboratorike, spitalore, pajisjet me mjetet mbrojtëse për stafet mjekësore dhe shpërblime financiare për ta, mbështetjen me aparatura dhe terapi mjekimi si kudo në vendet e tjera”.
Më tej, ministrja tha se “çfarë kemi siguruar? 4 laboratorë publikë që kryejnë testimet dhe 134 epidemiologë në terren që gjurmojnë kontaktet. Rritëm 5 herë testimet krahasuar me muajin qershor. Kemi vendosur prioritet cilësinë dhe efikasitetin në përgjigjen e testimit duke gjurmuar, hetuar dhe po ashtu grupet më të riskuara siç janë, të sëmurët kronikë, ata në spitale, mësuesit, punonjësit shëndetësore, prioritet për testimin e shpejtë”.
“Jemi të vetëdijshëm që gjithmonë ka vend për përmirësim dhe atë po bëjmë çdo ditë. Duke rritur kapacitetet më përfshirjen e testeve të shpejta të antigenit që i presim brenda muajit dhjetor synojmë kufizimin e mëtejshëm të përhapjes së virusit. Bazuar në planin tonë të vjeshtë dimrit siguruam vaksinimin falas ndaj griit për grupet e riskuara për 368 mijë qytetarë dhe nga dje ka mbërritur sasia e fundit prej 230 mijë vaksinash. Çdo i moshuar, i sëmurë kronikë, grua shtatzanë, mësues, pranë mjekut të familjes vaksinimi është falas”, shtoi ajo.
Ministrja bëri të ditur se “filluam rimbursimin e paketës së barnave të trajtimit ambulator në banesë për qytetarët që kanë nevojë për terapi mjekimi duke mbështetur kështu çdo familje, duke reduktuar kostot nga xhepi për terapitë e mjekimit, duke disiplinuar terapitë nëpërmjet vëmendjes së posaçme për çdo qytetar nga mjekët e familjes. Për 2021, buxheti vetëm për rimbursimin e terapive me barnat për ambulatorët do të jetë 1.2 miliard lekë”.
“Kemi rritur kapacitetet spitalore. 250 shtretër plus i janë shtuar strukturave Covid për të përballuar situatën e vjeshtë dimrit, Covid3 dhe Covid4. Duke e çuar në mbi 550 shtretër kapacitetin spitalor vetëm për trajtimin e rasteve Covid. Pajisëm strukturat tona me linjat e oksigjenit duke siguruar që asnjë qytetar që merr shërbim në spitalet tona të mos i mungojë oksigjeno-terapia. Spitalet rajonale gjithashtu, janë të përgatitura dhe aty janë investuar në linja oksigjeni të dedikuara, aparatura, ndërkohë që janë trajnuar në vazhdimësi stafet. Skenarët tanë përfshijnë kapacitetet prej 1600 shtretërish në të gjithë sistemin për të përballuar këtë epidemi”.
“Dyfishuam numrin e respiratorëve, ventilatorëve, pajisjeve në reanimacione. Punuam gjatë këtyre muajve për të punësuar mbi 270 punonjës shëndetësorë të dedikuar për të shërbyer në spitalet Covid.
7 milion euro ka qenë mbështetja e deritanishme për bonusin special, 1 mijë euro dhe 500 euro për stafet në frontin Covid.
Prej vitit që vjen për asetin tonë më të çmuar, mjekët dhe infermierët do të ketë rritje historike të pagave, 40 % nga e cila do të përfitojnë 18 mijë mjekë dhe infermierë në të gjithë sistemin shëndetësor. Qeveria shqiptare është angazhuar menjëherë në financimin nëpërmjet aleancës Gavi dhe instrumentit Covax për vaksinën anti-COVID. 3.9 milion euro janë parapaguar dhe vijojmë punën për të siguruar vaksinën për qytetarët tani. Fillimisht me grupet e riskuara dhe kjo vaksinë do të jetë falas”, tha Manastirliu.
Fraksion.com