AktualitetPolitikëTë fundit

Kuvendi, 1 minutë heshtje për viktimat e tërmetit të 26 nëntorit

Kryetari i Kuvendi, Gramoz Ruçi, në nisje të seancës plenare, kërkoi një minutë heshtje në shenjë dhimbjeje e respekti për 51 qytetarët që humbën jetën nga tërmeti i 26 nëntorit të një viti më parë.

Në fjalën e tij në Kuvend, Ruçi tha se si sot, një vit më parë, Shqipëria u godit nga tërmeti më i fuqishëm i dyzetë viteve të fundit.

“Durrësi, Thumana, Tirana, Laçi Lezha ishin zonat më të goditura.51 jetë njerëzore u humbën dhe mbi tre mijë njerëz u plagosën. Disa mijëra familje mbetën të pastrehë. Në shenjë dhimbjeje e respekti për 51 qytetarët që humbën jetën nga tërmeti, ju ftoj të mbajmë një minutë heshtje. Pushofshin në paqe”, u shpreh Ruçi.

Ai shtoi se tërmetit të 26 nëntorit, kësaj goditjeje natyrore iu kundërpërgjigj një solidaritet i fuqishëm  njerëzor.

“Qindra mijëra qytetarë kontribuuan me sa mundën për të lehtësuar barrën e përballimit të pasojave të tërmetit. Sfida e qytetarëve po mund sfidën e natyrës. Përgjigja e Qeverisë e institucioneve edhe solidariteti i qytetarëve shqiptarë inspiruan mbështetjen e fuqishme ndërkombëtare. Konferenca e donatorëve e shkurtit 2020, me moton “Bashkë për Shqipërinë”, mobilizoi  për rindërtimin një ndihmë jashtë çdo parashikimi: 1.15 miliardë Euro, prej të cilave 300 milion dhuratë. Përpjekjet tona për rikthimin e qytetarëve në shtëpitë e tyre të rindërtuara apo të reja, nuk u  ndalën, nga pandemia e Covid-19, e cila shpërtheu në kulmin e rindërtimit”, tha ai.

Po ashtu, Ruçi shtoi se “Kuvendi inkurajon punën e Qeverisë për realizimin e objektivave të rindërtimit edhe në kushtet e kostove që imponoi pandemia. Fuqia, shpresa dhe besimi janë më të mëdha se goditja e tërmetit e ankthi prej pandemisë. Solidariteti e dashuria  njerëzore prodhojnë rezultate më të mira se ndarja e konfliktet”.

 

Fraksion.com