AktualitetPolitikëTë fundit

Mimi Kodheli, zëvendëspresidente e Asamblesë Parlamentare të NATO-s; Kim: Urime, shqiptarja e parë që mban këtë post të rëndësishëm

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim, uroi sot deputeten e Partisë Socialiste, njëherazi kryetare e Komisionit për Politikën e Jashtme, Mimi Kodheli për zgjedhjen si zëvendëspresidente e Asamblesë Parlamentare të NATO-s.

“Urime Mimi Kodheli për emërimin si nënkryetare e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, shqiptarja e parë që mban këtë post të rëndësishëm. Ne mezi presim ta shohim atë duke punuar me kongresmenin Gerry Connolly, President i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, për të forcuar NATO-n”, u shpreh Kim.

Mimi Kodheli, njëherazi kryetare e delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të NATOS, u zgjodh me unanimitet një ditë më parë si zv.presidente e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, e para shqiptare e zgjedhur në këtë post.

Mimi Kodheli është Doktore e Shkencave Ekono­mike prej vitit 2007 dhe Master në Administrim Biznesi nga Universiteti Lincoln, Nebraska, SHBA, në bashkëpun­im me Universitetin e Tiranës në vitin 2000. Ajo është diplomuar në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Ekonomik, dega Financë, në vitin 1986.

Kodheli ka hyrë në politikë në vitin 2002, kur edhe u emërua zëvendëskryetare e bashkisë së Tiranës. Në vitin 2005, u emërua Prefekte e qarkut të Tiranës. Prej vitit 2009 është zgjedhur deputete e Kuvendit të Shqipërisë. Në karrierën parlamentare ka mbajtur pozicionin e zëvendëskryetares së Komisionit të Ekonomisë dhe Financave përgjatë legjislaturës 2009-2013 dhe aktualisht është Kryetare e Komisionit për Politikën e Jashtme. Gjatë viteve 2013-2017 ka shërbyer si Ministre e Mbrojtjes e Shqipërisë. Prej vitit 2007 e në vazhdim është anëtare e Kryesisë së Partisë Socialiste.

 

Fraksion.com