AktualitetPolitikëTë fundit

“Hapen dosjet dhe dalin dokumentet e Hagës”; Balla: Me çfarë statusi ishte Basha në dhomën ku pyetej shoqëruesi i Rugovës në Hagë?

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka reaguar pas daljes së dokumenteve të Hagës, duke ngritur pyetjen se “me çfarë statusi gjendej Lulëzim Basha në dhomën ku pyetej shoqëruesi i Rugovës në Hagë, në vitin 2000?”

“Pse Adnan Merovci u pyet nga gjykatësi për Lulzim Bashën dhe statusin e tij? Pse “përkthyesi” Lulzim Basha nuk ishte një përkthyes i listuar tek lista zyrtare në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës? Kujtojmë se Adnan Merovci, ish-shoqëruesi i Presidentit Ibrahim Rugova është pyetur në Gjykatën e Hagës në seancën gjyqësore kundër Vlastimir Djordjevic, ish-Zëvendësministër i Brendshëm i Serbisë, përgjegjës për shumë krime në Kosovë. Merovci dëshmon se është pyetur për një cështje tjetër ndaj ish-Presidentit Milutinoviç dy herë, një herë në Prishtinë e më pas në Hagë në prill të vitit 2000”,- shprehet Balla krahas videos së publikuar.

“Dita ditës shtohet numri i dëshmitarëve të masakrave të serbëve në Kosovë apo luftëtarëve për liri të UÇK që deklarojnë se Lulëzim Basha, ka punuar për Tribunalin e Hagës në mbledhjen e provave gjatë hetimeve për shqiptarët e Kosovës. Ndonëse Basha vijon të  gënjejë duke deklaruar se nuk njeh asnjë nga personat të cilëve ai u ka marrë provat dhe materialet filmike, si Milaim Bellanica etj, çdo ditë dalin në dritë fakte të reja për përfshirjen e Bashës në këto hetime. Së fundi media ka publikuar një dosje të Gjykatës së Hagës në gjyqin e Vlastimir Djordjevic, ish zv-ministër i Brendshëm i Serbisë dhe dëshmi në këtë sallë të gjyqit të Adnan Merovicit ish-shoqërues i Ibrahim Rugovës”, thuhet në video.

“Para kësaj gjykate në vitin 2009, Merovici konfirmon se në periudhën 1999-2000, ai ishte marrë në pyetje nga hetuesit e Prokurorisë së Hagës dy herë, një herë në Prishtinë dhe një herë në Hagë. Madje në Hagë ai dha një deklaratë me shkrim. Merovici deklaron në këtë seancë gjatë kohës që merrej në pyetje në prokurorinë e Hagës përkthyesi ishte vetë Lulëzim Basha.

Ja dëshmia e tij në seancën gjyqësore të vitit 2009 në Hagë: Më thoni a e njihni Lulëzim Bashën?. Po po e njoh. Në çfarë cilësie mori ai pjesë në intervistë? Ai ishte në Hagë, ishte i pranishëm gjatë intervistës në Hagë. Më falni, por ishte shoqëruesi juaj për këtë arsye mori pjesë në intervistim apo mori pjesë në cilësinë e ndonjë personi tjetër?.  Në cilësinë e përkthyesit thjeshtë si përkthyes. Faleminderit. Por ai nuk listohet si përkthyes në deklaratë zoti Merovci, nëse nuk gaboj dhe ju e deklaruat se deklaratën e firmosët vetëm në 13 prill apo në 12 prill të vitit 2000?. Po. Deklaratën që ju firmosët ishte në anglisht? Po ishte në anglisht e lexova e kuptova dhe më pas e firmosa.

“Kështu dëshmia e Merovcit tregon se Basha nuk ishte një person zyrtar i listuar si përkthyes nga prokuroria e Hagës në vitin 2000. Në seancën gjyqësore të viti 2009, më pas ngrihen dyshime nga gjykatësi pse Basha ishte në dhomë me zotin Merovci. A duhet të japë një përgjigje Lulëzim Basha se çfarë kërkonte ai në dhomën e prokurorëve të Hagës ku merrej në pyetje një shqiptar? Pse mundohet ta fsheh Basha rolin e veprimit të tij si përgjegjës operacional në zyrën e Tribunalit Ndërkombëtar për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi, në Tiranë gjatë vitit 1999? Pse nuk sqaron ai rolin, detyrat funksionale që kishte në vend që të sulmojë egërsisht dhe në mënyrë vulgare si gënjeshtar i çmendur dëshmitarët që i kërkojnë atij t’u kthejë provat e masakrave të serbëve në mënyrë që drejtësia të bëjë drejtësi për shqiptarët. Por në vend të kësaj Lulëzim Basha vetëm mohon. Lulëzim Basha vetëm mashtron”, thuhet në videon e publikuar nga Balla.

 

Fraksion.com