AktualitetBota+Të fundit

Antony Blinken pritet të emërohet Sekretar amerikan i Shtetit

Presidenti i zgjedhur amerikan, Joe Biden pritet të zgjedhë këshilltarin e tij dhe diplomatin veteran, Antony Blinken si Sekretar Shteti, kanë raportuar një mori mediash amerikane më 22 nëntor.

Nëse nominohet dhe konfirmohet nga Senati, Blinken do të ketë detyrë krijimin e një qasje të re të diplomacisë amerikane dhe bashkëpunimit global, pas katër vjetëve të politikës “Amerika e Para” e presidentit aktual, Donald Trump, e cila është përcjellë me ndasi në institucionet ndërkombëtare dhe përplasje me aleatët dhe konkurrentët.

Biden do ta bëjë këtë njoftim më 24 nëntor, teksa do të publikojë emrat e parë në kabinetin e tij.

Jake Sullivan, ndihmës i ngushtë i ish-Sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, pritet të emërohet Këshilltar për Siguri Kombëtare i Bidenit.

Emërimi i Blinkenit, që është raportuar fillmisht nga Bloomberg dhe më vonë është konfirmuar edhe nga media tjera, vjen teksa Biden vazhdon të zgjerojë administratën e tij, pavarësisht tentimeve të Trumpit për të përmbysur rezultatin zgjedhor.

Ish-nënpresidenti amerikan është zotuar se do të nisë presidencën më 20 janar, teksa kombi amerikan përballet me pandeminë e koronavirusit dhe krizën ekonomike të shkaktuar nga ajo.

Pasi të marrë pozitën e presidentit, Biden planifikon të rikthehet në Marrëveshjen e Parisit për Klimën dhe të kthejë mbrapsht anëtarësimin në Organizatën Botërore të Shëndetësisë.

Me Blinkenin në krye të diplomacisë amerikane, administata Biden do të synojë të shmangë përshkallëzimin e tensioneve me Iranin, të rindërtojë marrëdhëniet me aleatët dhe të menaxhojë marrëdhëniet tejet të tensionuara me Kinën.

 

Fraksion.com