Biden kërkon asistencë emergjence për pandeminë
Presidenti i zgjedhur Joe Biden po i bën thirrje Kongresit të miratojë miliarda dollarë ndihmë emergjente për COVID-19n para fundit të vitit, sipas një këshilltareje të lartë të tij, e cila paralajmëroi të premten se “nuk ka më vend për vonesa”.
Ndihmësja e tranzicionit të zotit Biden, Jen Psaki i bëri komentet përpara takimit të zotit Biden me Kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi dhe udhëheqësin e demokratëve të Senatit Chuck Schumer. Ky është takimi i parë mes tyre, që kur zoti Biden u parashikua si fitues i zgjedhjeve presidenciale. Presidenti i zgjedhur i priti ata të premten pasdite në selinë e tij të improvizuar të tranzicionit brenda një teatri në qendër të qytetit Uilmington të shtetit Delauer.
Zoti Biden, u ul për të biseduar me krerët demokratë të Kongresit si dhe me Zëvendës Presidenten e zgjedhur Kamala Harris, rreth disa tryezave. Të gjithë mbanin maska në fytyrë.
“Në Zyrën time Ovale, mi casa, ti casa (rrini si në shtëpinë tuaj),” tha zoti Biden gjatë pjesës së shkurtër të takimit që gazetarët u lejuan ta mbulonin. “Shpresoj se do të kalojmë shumë kohë së bashku”, shtoi ai.
Zonja Pelosi tha më herët në një konferencë për shtyp se ajo dhe senatori Schumer do të flisnin me zotin Biden për “nevojën urgjente të mposhtjes së virusit”, si dhe për mënyrën se si të mbahet qeveria e financuar dhe të ndihmohen njerëzit financiarisht për të përballuar COVID-in gjatë kësaj periudhe kur Kongresi është në tranzicion.
Por perspektiva e një ndihme të re kundër COVID-it këtë vit mbetet e pasigurtë. Zonja Pelosi tha se bisedimet e së enjtes me udhëheqësin e shumicës së senatit Mitch McConnell dhe udhëheqjen republikane nuk sollën ndonjë konsensus për një paketë të re ndihme.
“Kjo nuk ndodhi, por shpresojmë që të ndodhë,” tha ajo.
Po të premten, senatori McConnell, republikan i shtetit Kentaki, propozoi që Kongresi të zhvendosë 455 miliardë dollarë nga fondet e pashpenzuara të parashikuara për kredi biznesi, drejt një pakete të re ndihme për COVID-19n. Oferta e tij erdhi pas një takimi me Sekretarin e Thesarit Steven Mnuchin dhe shefin e stafit të Shtëpisë së Bardhë Mark Meadows.
Ekipi i zotit Biden po përballet me një presion të fortë për të arritur miratimin e një projektligji të ri për një lehtësim tjetër financiar për COVID-19n si dhe për të dalë me një plan të qartë se si do të shpërndahen miliona dozat e një vaksine të mundshme.
Zonja Psaki tha se Biden, Pelosi dhe Schumer janë duke punuar së bashku rreth një projekt-ligji mbi ndihmën për pandeminë, para se Kongresi të ndërpresë punën për pushimet e fundvitit.
“Nuk ka më vend për vonesë. Ne duhet të ecim përpara sa më shpejt të jetë e mundur,” tha ajo.
Presidenti i zgjedhur gjithashtu ka premtuar të punojë ngushtë me republikanët në Kongres për të vënë në veprim axhendën e tij qeverisëse, por deri tani, ai është përqendruar tek aleatët e tij kryesorë demokratë.
Takimi vjen dy ditë pasi demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve e emëruan zonjën Pelosi si kryetare, për t’i udhëhequr ata përsëri vitin e ardhshëm kur zoti Biden të jetë president. Ajo ka lënë të kuptohet se këto do të jenë dy vitet e saj të fundit në postin e udhëheqëses së Dhomës.
Presidenti Donald Trump vazhdon të mos e lejojë administratën e tij të bashkëpunojë me ekipin e tranzicionit të zotit Biden. Në mënyrë të veçantë, administrata e Presidentit Trump po i mohon presidentit të zgjedhur qasjen në informimin mbi sigurinë kombëtare dhe planifikimin për luftën kundër pandemisë, që udhëheqësit e të dyja partive thonë se janë të rëndësishme për përgatitjen e zotit Biden për të qeverisur menjëherë pas inaugurimit të tij më 20 janar.
Sekretari i Shëndetësisë Alex Azar tha të premten në programin “CBS This Morning” se akuza e zotit Biden se vonesat e tranzicionit do të kushtonin jetë amerikanësh është “absolutisht e pasaktë”.
“Çdo aspekt i asaj që bëjmë është plotësisht transparent, nuk ekzistojnë të dhëna ose njohuri sekrete,” tha zotit Azar.
Fraksion.com