“Kemi kopje me emër e mbiemër”: Basha vazhdon për numrin e vdekjeve nga Covid-19: Prokuroria të veprojë urgjent
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ripërsëriti sërish mbrëmjen e sotme denoncimin e fortë se shifrat e vdekjeve nga koronavirusi janë fshehur.
Mbrëmjen e kaluar, kryedemokrati tha se për periudhën mars-tetor kanë ndërruar jetë 923 persona nga Covid-19, nga 599 që ka raportuar Ministria e Shëndetësisë. Pas kësaj deklarate pati reagime të forta nga qeveria dhe mjekët, të cilët paralajmëruan se do të denoncojnë kreun e PD.
Në një deklaratë për media, pas takimit me ministrin e Jashtëm italian, Luigi Di Maio, Basha deklaroi se numri i viktimave është fshehur dhe ky nuk është një denoncim i PD, por i personelit shëndetësor. Sipas tij, Prokuroria duhet të veprojë menjëherë, pasi Rama po merr kohë për të manipuluar provat.
“Gjatë ditës së djeshme kam bërë thirrje që prokuroria të sekuestrojë urgjent provat nga morgu i Tiranës. Lajmi është shokues. Denoncimi është i ardhur nga personeli me integritet shëndetësor, jo nga PD. Të dhënat janë aty. Çfarë pret prokuroria? Pret që t’i manipulojë Edi Rama? Po merr të dhëna që të manipulojë të dhënat. Ky është një lajm shokues. Fshehja e numrit të viktimave është lajm tronditës. Ky është krim i shumëfishtë.
Krimi i parë është se ka ulur në sy të publikut rrezikun. Së dyti, duke fshehur numrin e viktimave, ke fshehur marrjen e përgjegjësisë. Ky moment nga denoncimi deri te konferenca që do bëjë kryeministri nesër, do të jetë vetëm manipulimi i provave. Prokuroria të shkojë të marrë provat. Lajmi tronditës është që është bërë politikë me vdekjen, duke fshehur numrin e vërtetë të viktimave.
Qëllimi është që kjo situatë të marrë fund menjëherë, që qeveria dhe Edi Rama të shkulen nga konferencat për shtyp, nga rrjetet sociale dhe fyerjet e rëndomta që i drejtojnë ekspertëve, opozitës, sa herë thonë të vërtetën, dhe të paktën këtë herë të bëjnë detyrën. Ne kemi kopjet tona me emër dhe mbiemër, datë për datë, Prokuroria të mos lejojë të manipulohen provat. Të vërtetën e dinë të gjithë mjekët dhe personeli mjekësor”, u shpreh kryedemokrati Basha.
Pyetje: Z.Basha, mbrëmjen e djeshme keni bërë një deklaratë shumë të rëndë, të themi kështu, për fshehje të numrit të viktimave shkaktuar nga COVID-19. Ditën e sotme ka pasur një deklaratë nga mjekët e infektivit, po ashtu dhe nga kryeministri Rama që i konsiderojnë deklarimet tuaja të pavërteta dhe të motivuara politikisht. Keni ndonjë koment?
Lulzim Basha: Gjatë ditës së djeshme kam bërë thirrje në mënyrë të vazhdueshme që Prokuroria të marrë urgjent, të sekuestrojë urgjent provat në morgun e Tiranës. Lajmi është shokues, denoncim nuk është i ardhur nga PD por është i ardhur nga personeli me integritet shëndetësor të cilin për arsye të kuptueshme nuk kam ndërmend ta publikoj këtu. Por të dhënat janë aty. Çfarë pret Prokuroria? Pret që t’i manipulojë Edi Rama?!
Ky njeri që nuk lë rast pa dalë në konferencë për shtyp, pse i duhet deri nesër për të dalë në konferencë për shtyp? Që të manipulojë të dhënat?!
Po merr kohë që të manipulojë të dhënat?!
Ky është një lajm shokues!
Fshehja e numrit të vdekjeve është një lajm tronditës për çdo shqiptar dhe është një përgjegjësi e drejtpërdrejtë politike.
Shikoni se çfarë po ndodh në një vend të Bashkimit Europian. Drejtuesit të lartë politikë, drejtuesit e lartë politik të qeverisë janë marrë nën hetim nga prokuroria për një akuzë të ngjashme. Pse? Sepse e di që numri është dy here, tre herë më i lartë dhe e fsheh, ke bërë një krim të shumëfishtë. Krimi i parë që ke bërë është që ke ulur në sytë e publikut rrezikun e pandemisë, se ndryshe reagon publiku kur i thua që numri i viktimave është 1 apo 2 dhe ndryshe kur janë 10 apo 20.
Së dyti, duke fshehur numrin e viktimave duke fshehur dimensionin e vërtetë të pandemisë ke fshehur dhe përgjegjësinë për mos marrjen e masave sepse Shqipëria vazhdon të mbetet vendi me testimet më të ulëta në Europë, vazhdon të mbetet vendi me spitale COVID ku ditë për ditë ka mungesa.
Ka një shenjë respekti ndaj familjeve të viktimave sepse janë njerëz, janë nëna, baballarë që kanë humbur jetën dhe kjo është arsyeja pse unë mbrëmë jam përmbajtur, sepse qëllimi nuk është të bëj politikë, qëllimi im është t’i japim fund politikës me vdekje. Do të thotë në radhë të parë të bësh transparencë të plotë për numrin real të viktimave dhe të marrësh masa bazuar mbi numrin real të viktimave dhe numrin real të infeksioneve.
Në qoftë se fsheh infeksionet duke bërë testime të ulëta, në qoftë se fsheh viktimat atëherë je përgjegjës dhe bashkë përgjegjës për dëmin që pandemia sjell në shëndetin dhe jetën e shqiptarëve. Prandaj dhe njëherë qëllimi kryesor është që kjo situatë të mare fund menjëherë që qeveria dhe Edi Rama të shkulen nga konferencat për shtyp dhe nga Instagrami dhe nga Facebook-u dhe nga fyerjet e rëndomta që i drejtojnë ekspertëve, medias, opozitës sa herë që ne themi të vërtetën, sa herë që ju thoni të vërtetën dhe të paktën një herë për këto muaj që kanë ngelur të bëje detyrën për gjënë më të rëndësishme që ka qeveria: Jetën dhe shëndetin e njerëzve.
Prandaj thirrja ime ndaj Prokurorisë është: Mos lejoni të manipulohen provat.
Natyrisht ne kemi kopjet tona me emër dhe mbiemër datë për datë, por siç ju thashë ky njeri që nuk le minutën të kalojë pa dalë në Facebook dhe në Instagram, druaj shumë se këtë kohë që po përdor deri nesër kur të na dalë me njoftime, po e përdor për të shkatërruar dokumentet, për të shkatërruar transparencën, për të manipuluar të vërtetën, të vërtetën që e dinë të gjithë mjekët e spitaleve COVID, mjekët e departamenteve përkatëse dhe gjithë personeli shëndetësor. Të vërtetën që e dinë të gjithë. Është një e vërtetë e cila nuk fshihet dot.
Pyetje: Z. Basha, ndërkohë Komiteti i Ekspertëve ka vendosur edhe ndalimin e tubimeve elektorale. A do e dëmtojë kjo Partinë Demokratike për zgjedhjet e 25 Prillit?
Lulzim Basha: Shikoni, më e rëndësishmja sot është shëndeti dhe jeta e njerëzve. Ndërsa procesi i menaxhimit të pandemisë nuk bëhet me deklarata të tilla. Se ja e patë, dje bëri deklaratë komiteti i teknikëve, dy orë më pas një nga ministrat e kabinetit e kishte thyer, ishte me 20 veta e keni parë besoj ne Facebook ministren e arsimit, 20 veta bashkë!
Pra këto janë deklarata pa asnjë vlerë, në qoftë se nuk ka testime, nqs nuk ka pajisje, mjekë të trajnuar, infermierë të trajnuar, nqs nuk ka edhe rimbursim real të parave që paguajnë shqiptarët për ilaçet. Të tjerat janë kot, janë llafe bosh dhe thirrja ime ndaj qeverisë është të mos fshihet pas mjekëve dhe infermierëve të cilët po bëjnë një punë të jashtëzakonshme në kushte shumë të vështira, por të marrin masa të cilët e kanë ata përgjegjësinë. Janë ata që i mbajnë testimet më të ulëta në Europë, nuk janë komiteti ekspertëve se s’ ka komiteti të ekspertëve, buxhetin e ka Edi Rama. Ai e vendos që paratë të mos shkojnë për testime, ai vendos që paratë të mos shkojnë për hapjen e reparteve anti-COVID në spitalet rajonale, ai vendos që të rimbursohet 3 muaj pasi e ka propozuar opozita vetëm një pjesë e vogël e shpenzimeve të mëdha që qytetarët shqiptarë bëjnë kur sëmuren më COVID.
Këto janë vendime dhe përgjegjësi të Edi Ramës.
Ai nuk mund të fshihet. Nuk mund të fshihet. Edhe sa shqiptarë duhet të vdesin përpara që kryeministrit i vendit të marrë përgjegjësi dhe të ndalë çdo shpenzim tjetër abuziv, korruptiv apo qoftë dhe legjitim dhe paratë ti çojë aty ku po i çon çdo qeveri sot, që nga Kosova te Maqedonia e Veriut, te shëndeti dhe jeta e njerëzve. Të mbrojë shëndetin dhe jetën e njerëzve.
Ky është dhe duhet të jetë preokupimi kryesor i qeverisë. Ju e dini qe ka qenë, është dhe do të jetë preokupimi kryesor i imi, i Partisë Demokratike dhe i opozitës dhe për këtë arsye nuk jemi mjaftuar asnjëherë thjesht dhe vetëm me denoncime, por i kemi dhënë plan, zgjidhje, masa, propozime për t’ju ardhur në ndihmë njerëzve dhe këtë do të vazhdojmë ta bëjmë për këtë situatë tepër të vështirë të vendit dhe për shëndetin dhe jetën e shqiptarëve. Faleminderit!
Fraksion.com