Hajdari takon Di Maion: Shqipëria duhet të punojë shumë për të zgjidhur problemin e korrupsionit
“Shqipëria duhet të punojë shumë për të zgjidhur problemin e korrupsionit, i cili është një nga gangrenat e shoqërisë tonë”, deklaroi deputetja e opozitës, Rudina Hajdari, në takimin që zhvilloi sot me ministrin e Jashtëm të Italisë, Luigi Di Maio.
Hajdari u shpreh se me ministrin Di Maio, ranë dakord që të shkëmbejnë eksperiencat si grupim me Lëvizjen “5 Yje” në Itali.
“Me Ministrin e Jashtëm të Italisë, Luigi Di Maio, sot ramë dakord se Shqipëria duhet të punojë shumë për të zgjidhur problemin e korrupsionit i cili është një nga gangrenat e shoqërisë tonë. Administrata shtetërore nuk mund të vazhdojë të jetë strehë për militantët të cilët postin e shohin si shpërblim për votat e mbledhura, por duhet të jetë strehë për njerëzit e aftë dhe me integritet që duan t’i shërbejnë vendit”, u shpreh Hajdari.
“Klasa politike nuk mund të vazhdojë të perceptohet si një grupim njerëzish që pasurohen në kurriz të burimeve të vendit, por duhet të kthehet në një skuadër që debaton e shpie përpara ide që begatojnë shoqërinë. Ramë dakord me zotin Di Maio që të shkëmbejmë gjithashtu eksperiencat tona si grupim me Lëvizjen “5 Yje” në Itali”, tha Hajdari.
Fraksion.com