AktualitetTë fundit

“Akuzat e Bashës për vdekjet nga COVID 19”; Çomo: Goditje ndaj përpjekjeve tona më shumë se 9-mujore

Shefja e Shërbimit Infektiv, Najada Çomo i ka konsideruar si një goditje të rëndë të profesionalizmit të mjekëve dhe përpjekjeve të tyre për 9 muaj me radhë në luftën me COVID-19, akuzat e ngritura një ditë më parë nga kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i cili u shpreh se janë fshehur vdekjet nga infeksioni.

Në një deklaratë për shtyp nga Spitali Infektiv, Çomo apeloi që t’i jepet një herë e mirë fund praktikës politike dhe mediatike të lojës me vdekjen, që siç u shpreh ajo, ka sjellë jo pak telashe në 30 vite në jetën e bluzave të bardha.

“Nuk është kurrsesi e vërtetë që janë fshehur vdekje nga COVID-19 dhe e themi me përgjegjësi të plotë që kjo është jo vetëm praktikisht, por edhe teorikisht e pamundur”, deklaroi Çomo.

“Shprehim publikisht habinë tonë lidhur me akuzat e bëra nga kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha një ditë më parë në një nga studio televizive. Akuza tronditëse që godasin profesionalizmin tonë si mjekë dhe janë goditje e përpjekjeve tona për më shumë se 9-mujore në luftën me COVID-19”, tha Çomo.

Sipas saj, nuk duhej kurrsesi të arrihej deri këtu.

“Nuk është aspak dëshira jonë të merremi me deklarata të tilla, por përballë akuzash të tilla e shohim të domosdoshme të informojmë opinionin publik. Nuk është kurrsesi e vërtetë që janë fshehur vdekje nga COVID-19 dhe e themi me përgjegjësi të plotë që kjo është jo vetëm praktikisht, por edhe teorikisht e pamundur. Çdo pacient që ndërron jetë, përcillet për në morg bashkë me kartelën shoqëruese, e cila përmban arsyen e vdekjes së qytetarit, e cila është e firmosur dhe vulosur me përgjegjësi profesionale e ligjore nga mjeku që e ka trajtuar deri në momentin e fundit, nga mjeku që ka konstatuar dhe vdekjen e personit”, u shpreh ajo.

Shkaku i vdekjes së një pacienti në spital, vuri në dukje Çomo, nuk mund të përcaktohet as nga politikanët, as nga kushdo qoftë, përveç mjekut përkatës.

“Kartelën bashkëshoqëruese nuk e zëvendësojnë e as e ndryshojnë dot deklaratat bombastike që vënë në pikëpyetje vetë humanizmin e autorit të tyre në këtë kohë kaq të vështirë për njerëzit. Askush nuk mund ta ndryshojë dot shkakun e vdekjes, jo më pastaj një ekip i tërë mjekësh të mund të parafytyrohet dhe akuzohet si i përfshirë në një monstruozitet në përmasat e deklaruara”, deklaroi Çomo.

Gjithashtu, shtoi ajo, bëjmë me dije që nëse kjo akuzë përsëritet, ne do të ftojmë organet kompetente që të hetojnë, duke bërë verifikimin e çdo kartele mjekësore.

“Ne nuk do të lejojmë kurrsesi pa adresuar me ballafaqim miqësor apo ligjor këtë cenim që na bëhet në dinjitetin tonë njerëzor dhe profesional. Duhet ti jepet një herë e mirë fund praktikës politike dhe mediatike të lojës me vdekjen që ka sjellë jo pak telashe në 30 vite në jetën e bluzave të bardha. Këto dalje jashtë shinave të së vërtetës në një kohë si kjo, janë tejet të rrezikshme. Në këtë kohë të vështirë, kjo është gjëja e fundit që do të mund të na kishte shkuar ndërmend, ndërkohë që krejt të kundërta duhet të jenë mesazhet e figurave publike të popullit”, tha Çomo.

Një ditë më parë kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi se qeveria nuk e tregon numrin real të viktimave që kanë humbur jetën nga COVID-19.

 

Fraksion.com