AktualitetBota+Të fundit

Sulmohet ambasada amerikane në Bagdat

Një sulm me raketa nga milicia pro-iraniane gjatë natës duket se vuri në shënjestër kompleksin e ambasadës amerikane në zonën e gjelbërt të Bagdatit. Sulmi ka rritur tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Irakut, ndërsa të dy vendet njoftuan tërheqjen e 500 ushtarëve të tjerë nga Iraku.

Media irakiane njoftoi se u hodhën shtatë raketa të tipit “Katjusha” ndaj zonës së gjelbërt, pjesë e fortifikuar në Bagdat, dhe duket se objektivi kishte qënë kompleksi i ambasadës amerikane.

Nuk ka patur njoftime për viktima nga pala amerikane, por zyrtarë të ushtrisë irakiane thanë se një fëmijë humbi jetën dhe pesë civilë u plagosën.

Një grup i armatosur pro-iranian thotë se qëlloi me raketa ndaj ambasadës në shenjë hakmarrjeje ndaj asaj që pretendon si arrestim të tre pjestarëve të tij nga forcat amerikane në qytetin Falluja, në perëndim të Bagdatit. Zëri i Amerikës nuk mund të konfirmonte në mënyrë të pavarur pretendimin.

Një zëdhënës i milicisë kryesore pro-iraniane “Kataib Hezbollah” mohoi përgjegjësinë për sulmin, duke thënë përmes një shkrimi në Twitter se grupi po respektonte një “armëpushim të njëanshëm për të lejuar tërheqjen amerikane nga Iraku.”

Kryeministri irakian Mustapha Kadhimi u tha gazetarëve të mërkurën se Shtetet e Bashkuara do të tërheqin 500 pjestarë nga forcat e tyre ushtarake nga Iraku brenda një kohe të shkurtër.

Ai tha se gjatë vizitës së tij të fundit në Uashington, Presidenti Donald Trump i kishte thënë se do të tërheqë trupat amerikane nga Iraku brenda një viti dhe se të dy palët kishin rënë dakord për një afat kohor të tërheqjes.

Ministri i Jashtëm irakian Fouad Hussein tha se pas konsultimeve mes zotit Kadhimi dhe Sekretarit Pompeo dy ditë më parë, ata ishin pajtuar për të ulur gjithashtu numrin e përgjithshëm të forcave amerikane ushtarake jo-luftarake në 2,500.

Analisti egjiptian Ra’ed Azzawi i tha televizionit Al Arabiya, në pronësi të Arabisë Saudite, se sulmi me raketa gjatë natës ishte një përpjekje nga forcat e armatosura pro-rainiane për të turpëruar zotin Kadhimi dhe për të diskredituar aftësitë e tyre për të goditur objektiva amerikane nëse Shtetet e Bashkuara vendosin të sulmojnë Iranin. Ai shtoi se, “aeroplanët izraelitë po ashtu shënjestruan forcat e milicisë pro-iraniane në Siri, menjëherë pas sulmit në Bagdat.”

Gazeta New York Times raportoi në fillim të javës se Presidenti Trump kishte shqyrtuar goditjen e impiantit të pasurimit bërthamor iranian në Natanz, por se këshilltarët e kishin bindur atë që të mos e bënte.

Dr. Paul Sullivan, profesor në Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, i tha Zërit të Amerikës se tërheqja e forcave amerikane nga Iraku “shihet nga Irani si fitore”. Ai tha se “është një zonë e paqendrueshme dhe e brishtë e botës dhe se në traditën e kombeve të rajonit, largimi i trupave shihet si tërheqje në fushëbetejë”. “Armiqtë e Amerikës”, shtoi ai, “do të jenë duke menduar: të presim sa të largohen amerikanët, dhe pastaj ne mund t’i kthehemi asaj që po bënim”./voa

 

Fraksion.com