Rimbursim 100% për trajtimin në banesë të pacientëve me COVID; Manastirliu: 2 terapi mjekimi, fondi 1.2 miliardë lekë
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu deklaroi se qeveria shqiptare ka marrë vendimin për rimbursimin 100% të trajtimit ambulator në banesë për pacientët e prekur nga nga Sars-Cov 2. Manastirliu theksoi se nga kjo skemë do të përfitojnë qytetarët të cilët ndiqen nga mjekët e familjes, për trajtimin e simptomave të lehta dhe të moderuara, pavarësisht nëse janë të siguruar ose jo.
“Do të rimbursojmë dy forma të trajtimit të mjekimit, format e lehta dhe të moderuara. Qeveria shqiptare ka marrë këtë vendim për të gjithë popullatën, qoftë nëse janë të siguruar, qoftë nëse nuk janë të siguruar. Janë mjekët ata që do të përcaktojnë rimbursimin. Mjeku i familjes ka një udhëzues me terapi të përcaktuara”, tha Manastirliu gjatë një interviste në medie.
Ministrja e Shëndetësisë nënvizoi se qeveria shqiptare ka financuar 1.2 miliardë lekë për rimbursimin e trajtimit ambulator.
Paketa e barnave për trajtimin ambulator në banesë të pacientëve të diagnostikuar me COVID-19 përbëhet nga dy skema trajtimi, në përputhje me formën e sëmundjes, sipas udhëzuesit të miratuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve dhe do të financohet 100% nga shteti.
“Mjeku i familjes është personi i autorizuar për të dhënë këtë skemë mjekimi. Skema e mjekimit për format e lehtë dhe moderuar përmban antibiotikët, antiflamatorët, vitamina C dhe D, etj. Po ashtu dhe skema e dytë pra ka të gjithë barnat për simptomat”, tha ministrja.
Sipas ministres, ka një udhëzim të përcaktuar në bazë të asaj që njihet deri më sot për trajtimin e këtyre pacientëve.
“Ne e kemi rifreskuar trajtimin e pacientëve ambulatorë, këtë vendim e morëm për mbështetjen e qytetarëve dhe të familjeve. Skema e rimbursimit do të funksionojë mirë, pasi prej vitesh ajo ekziston. E rëndësishme për këtë është se ne e kemi një udhëzim të konsoliduar dhe në momente të caktuara ky udhëzim do të ndryshojë në varësi të simptomave që shfaqin qytetarët me COVID-19”, deklaroi ministrja.
Ministrja u ndal edhe tek sigurimi i vaksinës antiCovid për qytetarët shqiptarë. Sipas saj, vaksina do të jetë falas dhe të parët që do të vaksinohen janë bluzat e bardha.
“Sigurimi i vaksinës, është prioritet i qeverisë shqiptare. Ne jemi të përgatitur për të patur një vaksinë falas për qytetarët në momentin që ajo të jetë disponibël dhe efektive”, deklaroi ministrja.
Sipas vendimit të qeverisë, vlera e rimbursimit të paketës së barnave për skemën 1 të trajtimit (forma e lehtë) do të jetë jo më shumë se 1 650 (një mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë) lekë. Vlera e rimbursimit të paketës së barnave për skemën 2 të trajtimit (forma e mesme) do të jetë jo më shumë se 10 900 (dhjetë mijë e nëntëqind) lekë.
Fraksion.com