“Njoftova shokët e Sigurimit…”; Ditari i panjohur i Enverit: Vendosëm të kthehemi në atdhe me tren
Publikohet ditarin e panjohur të udhëheqësit komunist të Shqipërisë, Enver Hoxha, të mbajtur plot 60 vite më parë, gjatë periudhës tetor-nëntor 1960, kur ai së bashku me bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë në udhëheqjen e lartë të PPSH-së së asaj kohe, si Mehmet Shehu, Hysni Kapo dhe Ramiz Alia, morrën pjesë më festimet e 43-vjetorit të “Revolucionit të Madh Socialist të Tetorit” si dhe mbledhjen e 81 partive komuniste nga e gjithë bota që u mbajt në sallën “Gjeorgjevskaja” të Kremlinit në Moskë. Çfarë shkruan ish-udhëheqësi komunist i Shqipërisë për atë ngjarje që konsiderohet si një nga më të rëndësishmet në historinë e vëndeve komuniste të mbarë botës, por edhe në marrdhëniet në mes Tiranës zyrtare dhe Kremlinit, e cila çoi edhe në prishjen përfundimtare të marrdhënieve në mes tyre, si dhe ç’ndodhte me delegacionin shqiptar, që nga mbërritja e tyre në Moskë, takimet me delegacionet e huaja të partive komuniste që merrnin pjesë aty, bisedimet e acaruara me palën sovjetike të kryesuar prej Nikita Hrushovit, që protestuan për dënimin e Koço Tashkos e Liri Belishovës, etj., e deri në ditën e fundit që ata u detyruan të largoheshin me tren nga Bashkimi Sovjetik…?!
Ditari i Enver Hoxhës për mbledhjen e 81 partive në Moskë
MOSKE, E MERKURE 16 NENTOR 1960
KRYEM DETYREN TONE TE SHENJTE NDAJ MARKSIZEM-LENINIZMIT
Në Mbledhjen e 81 partive komuniste e punëtore të botës që po mbahet këtu, në Moskë, sot paradite mbajta fjalimin tim. Fjalimi, i cili vazhdoi gati dy orë, u dëgjua në heshtje. Asnjë ndërprerje, asnjë ndërhyrje nga Hrushovi. Çdo gjë pra shkoi në rregull. Ne bëmë kështu një detyrë të shenjtë ndaj Partisë sonë, për Partinë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe për gjithë lëvizjen komuniste e punëtore. Ne jemi në rrugë të drejtë marksiste- -leniniste. Çdo thënie tonën do ta vërtetojë koha. Ne kemi marrë parasysh çdo gjë, çdo sulm e poshtërsi që do të na bëhet. Marksizëm-leninizmi duhet mbrojtur me çdo kusht dhe Partia jonë po e mbron atë. Pasdreke ndenja u çlodha. Shokët më njoftuan se në seancat e pasdites të Mbledhjes, Dolores Ibaruri, “Pasionarja”, kishte çelur e para sulmin joparimor kundër nesh. Kishte bërë një sulm të turpshëm. Por ne as na prek e as na tund. “Qentë le të lehin, karvani ecën përpara”!
MOSKË, E MERKURE 16 NENTOR 1960
SOVJETIKET I KANE SHTUAR PROVOKACIONET
Në njoftimet që na dërguan sot nga Tirana shokët na vënë në dijeni se, në mënyrë të theksuar, pasi ne u nisëm për të marrë pjesë në Mbledhjen e Moskës, sovjetikët që ndodhen në Shqipëri po zbatojnë një plan të tyre provokacionesh. Shokët na thonë se në Vlorë kanë ardhur dy anije nga Sebastopoli. Njëra ka prurë ushqime dhe po shkarkon në bazën lundruese dhe tjetra është tanker. Shokët na njoftojnë se koha vazhdon të jetë me lagështirë dhe se në Lezhë, një sasi misri ka filluar të fermentohet. Ushtria është bashkuar me kooperativistët për korrjen sa më shpejt të misrit dhe për ta shpëtuar nga dëmtimi. Duke parë gjendjen që na kanë krijuar këtu revizionistët sovjetikë dhe rreziqet që paraqet ajo edhe për sigurimin tonë konkret, bashkë me shokët Mehmet, Hysni e të tjerë kemi menduar variantet e kthimit për në atdhe. Mendimet tona rreth variantit që mund të jetë më i zbatueshëm, u’a kishim njoftuar edhe shokëve në Tiranë. Sot ata na propozojnë të kthehemi me etapa me aeroplan. Në të njëjtën kohë na njoftojnë se një vapor i flotës sonë ndodhet në Kostancë dhe është përgatitur për të na kthyer në atdhe. Diskutuam me shokët përsëri çështjen e rrugëve të kthimit në atdhe. Vendosëm të mos kthehemi me det, por me tren deri në Budapest. Andej shohim e bëjmë, por për çdo eventualitet dhe për të çorientuar veprimet dhe planet e revizionistëve sovjetikë të pabesë, kërkuam aeroplanin tonë të na presë në Budapest. Kërkuam të vijë në Budapest edhe një grup shokësh të Sigurimit, të cilët, së bashku me shokët që na shoqërojnë dhe shokët e ambasadës sonë atje, të kujdesen për masat e nevojshme të kthimit deri në Tiranë. Çështjen e kthimit nga Budapesti me aeroplan do ta rishikojmë.
MOSKE, E ENJTE 17 NENTOR 1960
VAZHDON MBLEDHJA E MOSKES
Vazhdon punimet Mbledhja e Moskës. Sot trockisti Vladislav Gomulka, ndërmori edhe ai një sulm banditesk kundër fjalimit tonë në këtë Mbledhje, kundër meje personalisht etj.
MOSKE, E PREMTE 18 NENTOR 1960
VIZITË DELEGACIONIT KINEZ
I bëmë një vizitë delegacionit kinez në rezidencën e tij në Leninskie Gori. Asistonin të gjithë anëtarët e delegacioneve tona. U zhvillua një bisedë e ngrohtë, shoqërore. Kinezët thanë fjalë shumë të mira për Partinë tonë të lavdishme dhe për rrugën e saj të drejtë.
MOSKE, E SHTUNE 19 NENTOR 1960
KINEZET NA KTHEJNE VIZITEN
Kinezët na kthyen vizitën në ambasadën tonë në Moskë. Delegacionin kinez e kryesonte Liu Shao Çia.
MOSKE, E DIELE 20 NENTOR 1960
NE MBLEDHJEN E MOSKES LAKENJTE E SOVJETIKEVE NA SULMOJNE
Këto ditë unë dhe Mehmeti nuk kemi shkuar në mbledhje, por qëndruam në ambasadë, pse Zhivkot e Dezhët me shokë, shajnë dhe lehin si qenër. Do të vijë koha që ata do t’i lëpijnë të gjitha çfarë po thonë kundër nesh. Do të vijë patjetër koha e dhënies së llogarisë prej tyre.
MOSKE, E DIEL 20 NENTOR 1960
VENDOSEM TA SHTYJME MBAJTJEN E KONGRESIT TONE TE IV
Duke pasur parasysh situatat që po zhvillohen këtu dhe kohën e shkurtër që na ngelet për Kongresin tonë të 4-t si dhe problemet e rëndësishme, me karakter politik e ideologjik, që do të duhet të shtrohen në të në dritën e situatës së krijuar pas Mbledhjes së Moskës dhe kritikave që u bëmë revizionistëve sovjetikë shokët këtu, menduam dhe e gjykuam të drejtë, ta shtyjmë Kongresin. Ua njoftuam këtë mendim shokëve në Tiranë me rekomandimin që ta diskutojnë më parë në Byronë Politike dhe pastaj të vendosim definitivisht në Komitetin Qendror, kur të kthehemi ne atje. U sugjeruam shokëve gjithashtu që lidhur me këtë, atje ku nuk janë bërë, të ndërpritet zhvillimi i konferencave të Partisë në rrethe. Menduam kështu sepse konferencat duhet të jenë një parapërgatitje e Partisë për situatën e re që po lind për Partinë dhe për popullin tonë.
MOSKE, E ENJTE 24 NENTOR 1960
HRUSHOVI DHE PASUESIT E TIJ I ZGJATIN DISKUTIMET
Sot është seanca e fundit plenare e pjesës së parë të Mbledhjes. Shkuam edhe ne. Megjithëse praktikisht diskutimet mbaruan, ato rifilluan sepse Hrushovi dhe një numër tjetër delegacionesh, mbi 20, sigurisht të shtyrë nga sovjetikët, kërkuan edhe një herë fjalën. Këta janë Zhivkot, Gomulkat, Torezët e të tjerë. Edhe vetë Hrushovi mbajti një fjalim të dytë. Pas tij e mori fjalën edhe Ten Hsiao Pini, për t’iu përgjigjur fjalimit të Hrushovit. Ne vendosëm të mos diskutonim për herë të dytë, por bëmë një deklaratë të shkurtër me shkrim, që ia shpërndamë të gjitha delegacioneve. Në të ne hodhëm poshtë të gjitha shpifjet që u bënë kundër delegacionit, Partisë dhe popullit tonë.
MOSKE, E PREMTE 25 NENTOR 1960
NISEMI PER T’U KTHYER NE ATDHE
Shokët Mehmet dhe Hysni u takuan në Kremlin me Mikojanin dhe me Kozlovin. Në mbrëmje u larguam nga Moska dhe me tren u nisëm për në Shqipëri. Nga sovjetikët kishin dalë për të na përcjellë po ata që na pritën, me Kozlovin në krye, por këtë radhë pa trupin diplomatik. Në stacionin e trenit “Kievskaja”, me qindra studentë shqiptarë që kishin dalë për të na përcjellë, bënë një manifestim të zjarrtë.
BASHKIMI SOVJETIK, 26 NENTOR 1960
TE EVITOHET ÇDO PROVOKACION ME SOVJETIKET
Po udhëtojmë me tren për t’u kthyer në atdhe nëpërmjet Hungarisë. Njoftimet që kishim marrë nga Tirana mbi përpjekjet e sovjetikëve për të bërë provokacione e për të shkaktuar incidente, na patën shqetësuar. Prandaj përpara se të niseshim nga Moska e ngarkuam Hysniun që, me t’u nisur ne, në emrin tim dhe të Mehmetit, t’i porositë shokët në Tiranë, të marrin të gjitha masat e nevojshme, që të mos ndodhë asgjë me ushtarakët sovjetikë në bazën e Vlorës. Të evitohet çdo provokacion, pse ata mundohen me të gjitha mënyrat që të krijojnë situata të turbullta, për t’i përdorur pastaj kundër nesh.
BUDAPEST, E DIEL 27 NENTOR 1960
RRUGES PER T’U KTHYER NE ATDHE, QENDROJME NE HUNGARI
Pas dy ditë udhëtimi, arritëm në Budapest, ku shokët hungarezë na pritën shumë mirë. Me ne ndodhej Shandor Ronai. Kadari në Moskë nuk na sulmoi si të tjerët. Duhet shikuar me kujdes qëndrimi i shokëve hungarezë ndaj nesh, pse ai paraqitet shoqëror dhe miqësor. Këtu vendosëm të kthehemi në atdhe me tren duke kaluar nëpërmjet Austrisë dhe Italisë dhe jo me aeroplanin tonë Budapest—Tiranë. Në Bari do të na presë aeroplani ynë për në Tiranë. Ndërkohë shokët që na shoqërojnë, ata që erdhën nga Tirana e që ndodhen këtu, si dhe shokët e ambasadës sonë, duke punuar me ndjenjën e përgjegjësisë së detyrës, pa u lodhur e me zgjuarsi, kanë marrë të gjitha masat e nevojshme për pasaportat, vizat, trenat etj. Në orën 12, të natës u nisëm përsëri me tren për në Vjenë.
VJENË, E HENE 28 NENTOR 1960
NJE NDALESE E SHKURTER NE VJENE
Arritëm në Vjenë, ku qëndruam për 4 orë dhe bëmë një shëtitje të vogël me taksi. Pasi hëngrëm mëngjes në një hotel, u nisëm për në Itali.
ITALI, GJATË RRUGES PER ATDHE, E MARTE 29 NËNTOR 1960
NE ATDHE NA PRESIN KRAHEHAPUR E ME ENTUZIAZEM TE MADH
Arritëm në Bari dhe, me avionin tonë që na priste atje, u nisëm drejt për në Tiranë. Në aeroportin e Rinasit mbërritëm natën vonë. Shkuam për të marrë pjesë në pritjen që ishte organizuar në Pallatin e Brigadave me rastin e 16-vjetorit të Çlirimit të Atdheut. Të pranishmit na pritën me entuziazëm të madh, gjë që shpreh aprovimin për qëndrimin e vendosur e parimor të Partisë sonë në Mbledhjen e Moskës.
E ENJTE 1 DHJETOR 1960
U NENSHKRUA DEKLARATA E MOSKES
U nënshkrua në Moskë Deklarata e Mbledhjes së 81 partive komuniste dhe punëtore.
E PREMTE 2 DHJETOR 1960
ERDHEN HYSNIU DHE RAMIZI
Sot Hysniu me Ramizin u kthyen me avion nga Moska.
E MARTE 8 DHJETOR 1960
SHTYPI YNE BOTON DEKLARATEN E MOSKES
Shtypi i vendit tonë sot botoi Deklaratën e Mbledhjes së 81 partive komuniste e punëtore që u mbajt në Moskë./Memorie.al
Fraksion.com