AktualitetTë fundit

COVID 19; Kadastra mbyll një prej drejtorive të Tiranës, reduktohet stafi në 7 të tjera

Valës së COVID në vendin tonë nuk i ka shpëtuar as Kadastra, në të cilën kanë rezultuar pozitiv disa punonjës.

Kadastra Shqiptare nëpërmjet një statusi në rrjetin social “Facebook” bën me dije se është vendosur mbyllja me afat të përkohshëm për Drejtorinë Rajonale Tiranë-Veri, pasi ajo nuk i ka shpëtuar valës së infektimeve.

Drejtoria Rajonale Tirana-Veri është mbyllur me afat të përkohshëm pasi kanë rezultuar të infektuar disa punonjës.

Ndërkaq është vendosur që punonjësit të cilët nuk janë të infektuar të qëndrojnë me grafikë në punë, duke respekuar masat e vendosura anticovid, gjithashtu edhe duke përdorur me sa të jetë e mundur edhe punën nga shtëpia si edhe turnet e alternuara.

Prej situatës së rënduar të infektimeve, edhe në disa nga drejtoritë vendore, do të punohet me kapacitet të kufizuar në 50 % të stafit. Bëhet fjalë për Drejtoritë Vendore Berat, Durrës, Gjirokastër, Korçë, Tirana Jug, Kamëz-Vorë, Vlorë.

Njoftim i Kadastrës:

Valës së infektimeve nga COVID-19, nuk i ka shpëtuar dot as Kadastra.

Të vënë para kësaj situate, Drejtoria e Përgjithshme e Kadastrës, ju drejtua sipas procedurave Drejtorisë Rajonale të Kujdesit Shëndetësor. Ekipet mjekësore pasi inspektuan zyrat e Drejtorisë Rajonale Tiranë, lanë rekomandimet e tyre përsa i përket gjendjes së infektimeve, situatës së ambjenteve të punës, distancave fizike midis punonjësve, etj.

Gjithashtu u vendos mbyllja me afat të përkohshëm e Drejtorisë Rajonale Tirana-Veri.

Nga ana jonë, duke patur parasysh rëndësinë e punës sonë, si zyra shërbimesh të pa zëvendësueshme për qytetarët dhe institucionet, vendosëm që punonjësit të cilët nuk janë të infektuar të qëndrojnë me grafikë në punë, duke respekuar masat e vendosura anticovid, gjithashtu edhe duke përdorur me sa të jetë e mundur edhe punën nga shtëpia si edhe turnet e alternuara.

Ndërkohë, për shkak të situatës së rënduar të infektimeve, edhe në disa nga drejtoritë tona vendore, po punohet me kapacitet të kufizuar në 50 % të stafit (Drejtoritë Vendore Berat, Durrës, Gjirokastër, Korçë, Tirana Jug, Kamëz-Vorë, Vlorë).

Në këtë situatë, është e kuptueshme që mund të ketë ulje të ritmit të punës dhe shkelje të afateve në shërbime, natyrisht pa prekur cilësinë e shërbimit të kërkuar.

Gjithashtu ftojmë qytetarët që, sipas nevojave të tyre, të përpiqen të shmangin ato aplikime që nuk i kanë të domosdoshme për momentin, kjo me qëllim që të përpiqemi bashkarisht të mos shkaktojmë mbingarkesë të sistemit.

Për sa më sipër, në situatën jo të favorshme që po kalojmë të gjithë, kërkojmë mirëkuptimin tuaj dhe jemi të bindur që do ta kemi atë.

Duke ju uruar shërim të shpejtë jo vetëm punonjësve tanë, por edhe çdo shqiptari që në këto ditë po vuan, shpesojmë që sa më shpejt të kthehemi në ritmin e plotë të punës!

Faleminderit!

 

Fraksion.com