Biden: Vonesat në procesin e tranzicionit do të sjellin pasoja në luftën kundër pandemisë
Në një takim virtual me punonjësit e kujdesit shëndetësor të vijës së frontit të mërkurën, Presidenti i zgjedhur Joe Biden paralajmëroi se planet e luftës kundër pandemisë do të vonoheshin “për disa javë ose muaj”, nëse Presidenti Trump nuk lejon fillimin e procesit të tranzicionit.
Ndërsa Shtetet e Bashkuara e kaluan shifrën e 11 milionë rasteve me COVID-19, Presidenti i zgjedhur Joe Biden kritikoi Presidentin Donald Trump, i cili refuzon të pranojë humbjen në zgjedhje, duke i mohuar atij një tranzicion të qetë, që do të përfshinte shkëmbimin e informacionit në lidhje me pandeminë.
“Ka shumë informacione që na mungojnë, të cilat nëse nuk vihen në dispozicion së shpejti, do të na lënë pas me javë ose muaj të tërë, për të qënë në gjendje të bashkërendojmë përpjekjet me dy kompanitë e barnave që arritën të prodhojnë vaksinën që është 95% e efektshme”, tha zoti Biden.
Gjatë një takimi virtual të mërkurën, zoti Biden dëgjoi dëshmi nga punonjësit shëndetësorë në vijën e parë të betejës kundër pandemisë.
“Kërkoj ndjesë që jam kaq emocionale”, tha Mary Turner me Shoqatën e Infermjereve në shtetin e Minesotës.
“Jo më bëre mua emocional”, u përgjigj zoti Biden.
Në fillim të kësaj jave, zoti Biden paralajmëroi se mund të vdesin më shumë amerikanë nga virusi nëse tranzicioni vonohet më tej.
Ndërkohë, administrata e Presidentit Trump është duke trumpetuar sukses, pasi kompanitë farmaceutike amerikane Moderna dhe Pfizer raportuan rezultate paraprake që tregojnë se vaksinat e tyre janë mbi 90 përqind të efektshme
“Deri në fund të dhjetorit, presim që të kemi rreth 40 milionë doza në dispozicion për shpërndarje të këtyre dy vaksinave, në pritje të autorizimit të Administratës së Barnave. Janë të mjaftueshme për të vaksinuar rreth 20 milionë amerikanë që janë më të rrezikuar nga virusi”, tha Sekretari i Shëndetësisë Alex Azar.
Pavarësisht lajmeve inkurajuese për vaksinat, zoti Biden përballet me një betejë të ashpër kur të marrë detyrën në janar.
“Mendoj se administrata e ardhshme do të përballet me shumë sfida në drejtim të bashkëpunimit të njerëzve me praktikat më të mira të shëndetit publik, ndërkohë që të gjithë janë të përqendruar në lajmet interesante për një vaksinë të re. Në skenarin më të mirë, do të duhen disa muaj para prodhimit, shpërndarjes dhe vaksinimit në masë të popullsisë”, thotë Katherine Baicker me Universitetin e Çikagos.
Ekipi i fushatës elektorale të Presidentit Trump vazhdon të ngrejë sfida ligjore në disa shtete, duke përfshirë kërkesën e fundit për një rinumërim të pjesshëm në shtetin e Uiskonsënit, të cilin e fitoi zoti Biden.
Fraksion.com