52% e votuesve republikanë: Trump, fituesi i merituar i zgjedhjeve
Një anketë e re tregon se afro gjysma e votuesve republikanë i besojnë deklaratat e Presidentit Trump se i ka fituar zgjedhjet përballë rivalit demokrat, Joe Biden.
Presidenti Trump ka ngritur thuajse përditë pretendime, pa ofruar prova, se votimet dhe procesi i numërimit të votave u manipuluan në interes të rivalit të tij dhe ai nuk ka pranuar deri tani humbjen.
Një anketë e re nga agjencia e lajmeve Reuters dhe firma Ipsos me 1,300 votues, e bërë publike të mërkurën tregon se 73% e të anketuarve besojnë se zoti Biden fitoi, ndërsa 5% besojnë se fitoi Presidenti Trump.
Por republikanët e anketuar shprehen me dyshim për rezultatin, sidomos kur pyeten nëse zoti Biden “fitoi me të drejtë”.
52% e republikanëve thanë se Presidenti Trump ishte “fituesi i merituar” ndërsa vetëm 29% e tyre thanë se kishte fituar konkurrenti demokrat, Biden.
Kur u pyetën përse, 68% e republikanëve shprehin shqetësim se zgjedhjet u manipuluan, siç pretendon presidenti, ndërsa këtë shqetësim e ngrenë vetëm 16% e demokatëve dhe 33% e të pavarurve.
Avantazhi në Kolegjin Elektoral
Të gjitha grupet mediatike kryesore në SHBA e kanë shpallur zotin Biden fitues, pasi ai siguroi më shumë se minimalja e kërkuar prej 270 votash elektorale për të marrë fitoren. Kolegji elektoral ka 538 vota dhe është vendimtari në rezultatin e zgjedhjeve presidenciale.
Zoti Biden siguroi gjithashtu një epërsi prej miliona votash në votën popullore krahasuar me Presidentin Trump. Edhe pretendentja demokrate në zgjedhjet e 2016, Hillary Clinton, siguroi fitore në votën popullore por humbi në kolegjin elektoral.
Që nga zgjedhjet, Presidenti Trump ka shmangur aktivitetet publike, por ka shpehur irritim në Twitter se ia vodhën fitoren përmes parregullsive në votime. Por deri tani, presidenti ka humbur disa sfida ligjore dhe nuk ka ofruar prova për mashtrime në masë.
Megjithëse anketat tregojnë se 55% e amerikanëve besojnë se zgjedhjet ishin “të sakta dhe legjitime,” kjo shifër pasqyron një rënie prej 7% krahasuar me rezultatin e të njëjtës anketë të zhvilluar në 2016.
28% e të anketuarve ditët e fundit thanë se mendojnë që rezultati në zgjedhje u diktua “nga votime të paligjshme ose manipulime”, një rritje prej 12% krahasuar me katër vjet më parë./VOA
Fraksion.com