Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së kërkon nisjen e gjykimit në qershor të vitit 2022
Në konferencën statutore apo të ecurisë së çështjes, mbrojtja e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, ka kërkuar që gjykimi për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të nisë jo më herët se në verën e vitit 2022.
Avokati mbrojtës i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi David Hooper dhe ai i ish-kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, Ben Emmerson, gjatë konferencës pranë Dhomave të Specializuara në Hagë, thanë se ju duhen të paktën 18 muaj që të kryejnë hetime, në mënyrë që të përgatisin mbrojtjen.
Emmerson tha se mendon se gjykimi mund të zgjasë deri në dy vjet.
Avokati i Thaçit, David Hooper e quajti “absurde” pretendimin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar që gjykimi të nisë në qershor të vitit 2021. Ai tha se mbrojtjes i duhet që të ketë qasje në një aktakuzë që ka shkallë më të vogël të redaktimit dhe “materiali duhet të jetë i hapur për mbrojtjen”.
Ndërkaq, Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se brenda javësh, palës mbrojtëse do t’iu dorëzohen mbi 1,000 materiale shtesë, duke shtuar se mbrojtja ka materiale të mjaftueshme që të nisë hetimet.
“Për mendimin e Zyrës së Prokurorit, nuk ka arsye që gjykimi për këtë çështje të mos nis në verën e vitit 2021”, tha Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Avokatja mbrojtëse e Jakup Krasniqit Venkateswari Alagendra dhe ai i Rexhep Selimit, David Young po ashtu thanë se iu duhet kohë e mjaftueshme që të mund të kryejnë hetime të thella.
Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou tha se në këtë konferencë statusore nuk do të përcaktohet data për nisjen e procesit gjyqësor.
Sipas Rregullores së Procedurës dhe Provave para Dhomave të Specializuara, Prokurori i Specializuar brenda 30 ditësh, që nga paraqitja e parë e të akuzuarve në gjykatë, duhet të njoftojë mbrojtjen për çdo material dhe provë që ka në zotërim,si deklarata, dokumete apo fotografi.
Mbrojtja tha se nxjerrja e materialeve duhet të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur, ndërkaq gjykatësi propozoi që Prokurorisë t’i jepet dy javë shtesë që të nisë me dorëzimin e materialeve te pala mbrojtëse.
Prokuroria e Specializuar njoftoi se do t’i dorëzojë mbrojtjes 10,000 materiale, potencialisht shfajësuese.
Mbrojtja: S’ka arsye që të akuzuarit të qëndrojnë në paraburgim
Avokati i Thaçit, David Hooper ngriti çështjen e mbajtjes në paraburgim të klientit të tij, duke thënë se së shpejti, pala mbrojtëse “do të aplikojë për lirim me kusht”. Ai tha se ka pranuar urdhërrarrestin e lëshuar ndaj Thaçit, por sipas tij, ajo ka pasur redaktime, prandaj ai kërkoi që t’i dorëzohen argumentet e përdorura në urdhëarrestin ndaj klientit të tij.
“Burgimi është përjashtim dhe në kushtet e mungesës së kritereve, atëherë prezumohet lirimi”, tha Hooper.
Mbrojtësi i Veselit, Ben Emmerson tha se nuk ka arsye që Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi të mbeten në parabugim, duke shtuar se nuk ekizston rreziku i arratisjes së tyre, por sipas tij, Prokuroria pretendon se të pandehurit kanë bërë “ndrëhyrjen në rregullin e drejtësisë”.
“Prokuroria duhet të tregojë se pse këta katër të akuzuar duhet të qëndrojnë në burg”, tha ai.
Emmerson: Nuk ka pasur “ndërmarrje të përbashkët kriminale”
Në anën tjetër, duke komentuar aktakuzën, Emmerson tha se “nuk ka ekzistuar ndërmarrje e përbashkët kriminale ashtu siç përcaktohet në aktakuzë dhe nuk ka baza të tjera ligjore për ta quajtur zotin Veseli përgjegjës për aktet kriminale të të tjerëve”.
Avokati Emmerson shtoi se UÇK-ja ishte një lëvizje dhe kryengritje popullore spontane, “e organizuar në mënyrë minimale për të mbrojtur popullatë civile nga gjenocidi dhe kriminelët serbë”.
“Më shumë se 10,000 civilë shqiptarë janë vrarë nga forcat serbe, në masakra të planifikuara dhe vendi u përfshi nga kaosi dhe nga dhuna. Shqiptarët u varrosën në varre masive nga forcat serbe dhe shumë pastaj u zhvarrosën dhe ka shumë të tjerë, që trupat e tyre gjenden në Serbi dhe janë fshehur atje”, tha ai.
Mbi 40 mijë faqe material kundër ish-krerëve të UÇK-së
Me qëllim të konfirmimit të aktakuzës kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Prokuroria e Specializuar në Hagë është mbeshtetur te 153 dëshmitarë dhe synon që përsëri të mbështetet në shumicën e tyre gjatë gjykimit.
Prokuroria pretendon se lënda e saj disponon me gati 100.000 prova.
Prokuroria, po ashtu thotë se materiali mbështetës për aktakuzën e paraqitur për konfirmim, ka pasur mbi 40 mijë faqe.
Kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të PDK-së, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit është konfirmuar aktakuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Të gjithë, aktualisht gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm.
Sipas një parashtrese të Prokurorit të Specializuar dërguar Dhomave të Specializuara për këtë konferencë, e të publikuar në faqën e tyre të internetit, prokuroria pretendon se për konfirmimin e aktakuzës ka disponuar me material prej rreth 43 mijë faqe, duke përfshirë raporte, deklaratat të dëshmitarëve, fotografi, e mbi 20 orë material audio-vizuel.
Prokuroria thotë se mbrojtjes parashikon t’i dorëzojë provat siç janë raportet, fotografitë, dokumentet e UÇK-së, duke përfshirë urdhrat, rregulloret etj.
Sipas parashtresës së Prokurorisë, ajo parashikon sigurimin e hollësishëm të materialit me prova për mbrojtjen deri më 30 prill 2021, kurse shton se do të jetë në gjendje t’i ofrojë listën e plotë të dëshmitarëve deri më 31 maj 2021, me kusht që procedurat aktuale paraprake pranë Dhomave të Specializuara të jenë afër përfundimit dhe se në të njëjtën kohë është planifikuar fillimi i gjykimit.
“Prokuroria aktualisht parashikon shtimin e afërsisht 50 dëshmitarëve të tjerë në listën e dëshmitarëve për gjykimin, megjithëse numri përfundimtar i dëshmitarëve mund të ndryshojë, varësisht nga rezultati të hetimeve të mbetura”, thuhet në këtë parashtresë.
Prokuroria në parashtresë thotë se redaktimi i materialeve është diçka që duhet të bëhet me kujdes, si dhe që përkthimi i materialit mbështetës të aktakuzës në gjuhën shqipe është në proces e sipër.
Prokuroria akuzon Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin për kryerjen e krimeve të luftës ndaj qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime.
Në aktakuzë pretendohet se nga marsi i vitit 1998 deri në shtator të 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të “ndërmarrjes së përbashkët kriminale kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.
Prokuroria pretendon se viktimat ishin kryesisht njerëz që gjatë kohës së luftës perceptoheshin si bashkëpunëtorë të forcave serbe, të zyrtarëve apo institucioneve shtetërore apo edhe që nuk mbështesnin qëllimet e UÇK-së.
Kjo, sipas aktakuzës, përfshinte edhe personat e lidhur me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe persona të etnisë serbe, rome dhe etnive tjera”./REL
Fraksion.com