AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Ja pse kërkoj që Basha të mos i bëjë bisht akuzave nga Kosova; Pse PD votoi pro raportit të Dick Marty

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot gjatë një konference për shtyp se Lulzim Basha ka detyrimin të shpjegohet lidhur me akuzat që i kanë drejtuar të tjerët, për sa i takon kasetës me filmime nga masakra e Krushës së Madhe në Kosovë.

“Një përfaqësues i një familje, i një ndërmarrje, i një organizate, medie dhe për më tepër një përfaqësues i një numri të caktuar qytetarësh, dhe aq më shumë akoma përfaqësues i një partie politike që për më tepër akoma pretendon të qeverisë vendin, ka një detyrë të patjetërsueshme, të mbajë qëndrime dhe të shikojë në sy njerëzit dhe të thotë atë që i takon në raport me çështje të caktuara. Patjetër dhe në raport me çështje që lidhen me të. Nuk flasim këtu për jetën private, jeta private është e secilit nuk është çështje publike. Nuk flasim këtu për punët private të askujt, këtu flasim për një detyrim shumë të thjeshtë, që një lider, një drejtues, përfaqësues ka, të shpjegohet”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “në këtë rast unë jam aspak i dëshiruar që këto akuza, që nuk i bëj unë, unë nuk kam bërë asnjë akuzë, por njerëz që as nuk i kam takuar, as nuk i njoh fare, të jenë të vërteta”. “Nuk jam i dëshiruar të jenë të vërteta, por është detyrim i patjetërsueshëm”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “nuk është një detyrim që mund të kryhet duke më sharë mua, as duke i bërë bisht, duke bërë teori konspiracioni, apo duke nxjerrë partinë të bëjë deklarata”.

“Është individuale. Detyrimi im në pozicionin që kam është t’i them Lulzim Bashës, shpjegohu. Sepse nëse në kohën kur e ka drejtuar Fatos Nano PS-në, ai ka mbajtur një qëndrim të caktuar që bie ndesh me interesin kombëtar, gjë që nuk ka ndodhur, kam detyrë të mbaj pozicion, sepse jam kryetar i PS-së dhe është partia që unë drejtoj, pavarësisht se në të kaluarën nuk kam qenë unë”, tha Rama.

Kryeministri kujtoi se PD dhe LSI kanë votuar raportin e KiE të ngritur mbi bazën e raportit të Dick Marty-t. “Ne në opozitë e kemi votuar kundër. Kemi qenë dy palë shqiptare në Strasburg dhe kemi votuar në dy mënyra të ndryshme për një çështje që do ta kemi pjesë të kësaj historie. Ta thotë pse e votuan pro? Për cilën arsye në botë qeveria votoi pro, PD dhe LSI votuan pro? Pse? Ta thonë. Këto janë thjesht dhe vetëm në funksion të detyrës që unë kam”, tha Rama.

Ai theksoi se “gjithë të tjerat që, kjo po përdoret për zgjedhje, është politike, po përfshihet Kosova në fushatë në Shqipëri, janë të gjitha dokrra që nuk kanë të bëjnë me arsyen pse ne ngremë këtë çështje”.

“Dikush që pretendon të drejtojë shtëpinë tonë të përbashkët nuk mund t’i bishtnojë nevojës për të dalë e për të thënë kam qenë këtu, apo çfarëdo qoftë. Por kjo nuk bëhet, të thuash se ka teori konspiracioni dhe komplot të Ramës me Top Channel apo që Edi Rama kështu po bën prapë. Se çfarë bën Edi Rama këtë nuk e gjykon Basha në kushtet kur duhet të shpjegojë se çfarë ka bërë ai, jo unë”, tha Rama.

Ai tha se është shumë e thjeshtë, është llogaridhënia para njerëzve e dikujt që pretendon të drejtojë shtëpinë tonë të përbashkët.

“Unë nuk jam hetues dhe nuk më intereson fare të jem. Në këtë rast është çështje karakteriale e rëndësishme. Është karakteri i lidershipit që gjithmonë testohet dhe gjithmonë është para njerëzve dhe pastaj e pëlqen se pëlqen, të tërheq apo jo, e quan arrogant apo të përulur, këto janë vlerësime. Por është e pamundur, në këndvështrimin tim, që një drejtues, aq më tepër i një force politike që pretendon të qeverisë vendin, të mos ketë këtë tipar të karakterit, të dalë dhe të përballet me çfarëdo çështje me interes publik dhe jo më, me çështje që kanë të bëjnë me atë vetë. Unë mbase e kam të ekzagjeruar këtë tipar, u dal përballë të gjitha çështjeve, por si mund të vë unë PS-në për të bërë atë që duhet të bëj unë”, tha Rama.

Ai tha se “është shumë e rëndësishme e gjithë kjo për njerëzit”. “Jemi në sytë e njerëzve, duhet të na shohin. Kemi detyrën t’u themi atë që ne mendojmë. Nuk kam unë akuza. Akuzat konfirmohen nga heshtja e gjatë, nga shmangia e vazhdueshme për t’u u përballur me to. Nga akuzat apo kundër akuzat mbi ata njerëz që unë nuk e kuptoj se çfarë arsye mund të kenë që sot i adresohen Bashës, për t’ju adresuar. Pse nuk i adresohen dikujt tjetër? Çfarë arsye kanë? Nuk është bindëse të thuash janë mashtrues. Pse, për çfarë arsye? Për më tepër pastaj teoritë e komplotit. Si mund të jem unë i interesuar ta dëmtoj Lulzim Bashën në një pikë që ai të bëhet i papërdorshëm? Është një lule që nuk këputet nga pikëpamja e lojës politike. Por këtu është çështje parimore dhe nuk zgjidhet duke më sharë mua”, tha Rama.

 

Fraksion.com