Negociatat; Varhelyi: Konferenca Ndërqeveritare me Shqipërinë të mbahet këtë vit
Komisioneri Europian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, kërkoi sot që Konferencat e para Ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të mbahen këtë vit.
Komisioneri Varhelyi mori pjesë sot në takimin e ministrave të Çështjeve Europiane, ku në kuadër të presidencës gjermane raportoi ministri gjerman për Çështjet Europiane, Michael Roth.
Me anë të një postimi në Twitter Varhelyi theksoi se, puna për miratimin e kornizave negociuese për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duhet të vazhdojë.
“Në video takimin e Ministrave të Europës sot: Puna duhet të vazhdojë dhe është e rëndësishme që kornizat negociuese me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të dakordësohen sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që Konferencat e para Ndërqeveritare të mbahen këtë vit”, u shpreh Varhelyi.
“Të gjithë duhet të vazhdojnë përpjekjet për të zgjidhur çështjet e hapura. Unë jam në kontakt me Presidencën gjermane të BE dhe të gjitha palët përkatëse në mbështetje të gjetjes së një zgjidhjeje”, tha Varhelyi.
Fraksion.com