AktualitetTë fundit

Në Shqipëri masa shtesë antiCovid; Komiteti i Ekspertëve: Ndalohen grumbullimet mbi 10 persona, dasmat dhe tubimet

Komiteti i Ekspertëve ka vendosur që të merren masa shtesë për të parandaluar përhapjen e COVID-19.

Profesore Albana Fico, anëtare e Komitetit Teknik të Ekspertëve në një deklaratë për mediet tha se “pas masave me intensitet të moderuar, me kufizimin e lëvizjes pas orës 22:00 dhe kufizimit të aktivitetit të bareve dhe restoranteve pas orës 22 të darkës, nisur nga vlerësimi në dinamikë i situatës, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vlerësuar se është e nevojshme të ketë masa shtesë të intensitetit mesatar për të frenuar përhapjen e infeksionit”.

“Pasi kemi analizuar situaten dhe risqet, ecurinë e epidemisë në vend dhe përgjigjen e qytetarëve ndaj masave të ndërmarra dhe kemi vendosur të ndalohen grumbullimet me më shumë se 10 persona në vende të hapura dhe të mbyllura, të ndalohen mbledhjet partiake dhe tubime, si dhe konferencat, ceremonitë e festave, ceremonite martesore dhe organizimet përtej familjes të ceremonive mortore, deri në një urdhër të dytë”, – theksoi Fico.

Sipas saj, Komiteti Teknik i Ekspertëve po monitoron me vëmendje situatën e COVID-19 dhe ecurinë e epidemisë në vend ndërsa vijon puna për testimin, gjurmimin dhe izolimin e rasteve të dyshuara dhe kontakteve të tyre.

“Ashtu siç kemi bërë me dije çdo ditë në raportimin ditor, situata mbetet e kontrolluar, por në një nivel risku të shtuar për arsye të rritjes së rasteve pozitive ditore, shprehur qartë me një rritje të incidencës 14 ditore në 243 raste për 100 mijë banorë. Numri total i rasteve aktive ka pësuar rritje në 504 për 100 mijë banorë. Numri i pacientëve në spitale ka pësuar rritje krahasuar një javë më parë”, – tha Fico.

Fico u shpreh se “në tre spitalet covid janë shtruar 406 pacientë. Aktualisht rreth 20-25% e kapaciteteve janë ende të lira në katër strukturat e dedikuara për trajtimin e rasteve, ndërkohë që skenarët e përfshirjes së spitaleve rajonale janë gati në momentin që do ketë ezaurim të katër spitaleve Covid. Terapitë intensive kanë një numër të qëndrueshëm të pacientëve në kujdes intensiv. Përqindja e humbjes së jetëve në raport me numrin e të prekurve është 2,2%”.

Fico u bëri apel qytetarëve për të zbatuar rregullat e vendosura.

“Vendoseni maskën, ruani higjienën, mbani distancë nga të tjerët që nuk janë familjarët tuaj dhe kufizoni kontaktet sa më shumë. Secili prej nesh e ka në dorë të frenojë përhapjen e epidemisë. Vetëm me bashkëpunim qytetarë-autoritete, mund të kufizohet përhapja e koronavirusit. Respektoni rregullat, kontribuoni për kufizimin e përhapjes së COVID-19, për të ulur mbingarkesën në spitale, për të ruajtur shëndetin tuaj dhe të familjeve tuaja”,  tha Fico.

 

Fraksion.com