Vincenzo Del Monaco, kryetari i ri i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri
Ambasadori Vincenzo Del Monaco është kryetari i ri i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.
Lajmin e bëri të ditur zyra e OSBE-së në Tiranë duke paraqitur edhe jetëshkrimin e tij.
Ai ka shërbyer për 23 vjet në shërbimin diplomatik italian. Përpara se t’i bashkohej Prezencës në Shqipëri, ambasadori Del Monaco ishte ambasador i Italisë në Armeni dhe, më parë, ambasador i Italisë në Malin e Zi.
Gjithashtu, ai ka shërbyer në Pekin, në Përfaqësinë e Përhershme italiane në Bashkimin Evropian, në Bruksel; si edhe në kabinetin e këshilltarit diplomatik të ish-presidentit të Italisë, Giorgio Napolitano.
Ai u diplomua shkëlqyeshëm nga Universiteti “La Sapienza” i Romës; zotëron diplomën Master i Drejtësisë në Studimet e Larta Ligjore Evropiane nga Kolegji i Evropës në Bryzh; si edhe një diplomë nga École Nationale d’Administration.
Ambasadori Del Monaco mban titullin e Urdhrit të Meritës (Commendatore) të Republikës së Italisë, titullin Kalorës të Legjionit të Nderit francez dhe Urdhrin e Flamurit Malazez të rangut të dytë.
Ai flet italisht, anglisht dhe frëngjisht. Del Monaco është i martuar dhe ka tre fëmijë.
Fraksion.com