AktualitetPolitikëTë fundit

“Rruga e Arbrit ,ëndrra shumëvjeçare”; Rama: Realitet brenda verës 2021

Rruga e Arbrit është një vepër inxhinierike komplekse, e cila do të bëhet realitet pas dhjetëra e dhjetëra vitesh pritje e premtime, brenda verës së vitit 2021.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga Rruga e Arbrit, një ëndërr shumëvjeçare e realizuar për dibranët.

“Mirëmëngjes dhe me këtë xhiro nëpër shtratin e hapur të Rrugës së Arbrit, që në verën e ardhshme do të jetë një ëndërr shumëvjeçare e realizuar për dibranët, e do të zbulojë për tiranasit hapësirat magjike të jastëkut të gjelbër të kryeqytetit që shtrihet deri pranë Dibrës, ju uroj një javë të mbarë”, tha Rama.

Ndërtimi i Rrugës së Arbrit me një gjatësi rreth 74 km, do të shkurtojë në mënyrë të ndjeshme rrugën ekzistuese që përdoret sot nga Tirana për në Dibër me gjatësi 180 km, duke ndikuar në zhvillimin e zonave.  Kjo rrugë do të bëhet një korridor lidhës i rëndësishëm Lindje-Perëndim.

Rruga e Arbrit lidh rajonet lindore dhe verilindore të Shqipërisë duke përmirësuar transportin e banorëve që jetojnë në zonat në të cilën kalon rruga, si dhe siguron transportin e burimeve natyrore nëntokësore, siç është kromi, nga Bulqiza për në portin e Durrësit, i cili më pas eksportohet.

Gjithashtu ky aks rrugor do të jetë rruga më e shkurtër që lidh Tiranën me Dibrën, si dhe me veriun e Maqedonisë, Dibrën e Madhe, Tetovën dhe Shkupin, pra do të jetë rrugë lidhëse ndërkombëtare.

 

Fraksion.com