Demokracitë perëndimore duhet të bashkohen në një koalicion kundër Kinës
Nga Matthias Nass
Kina, ashtu si pjesa tjetër e botës, i ndoqi me interes të madh zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara. Në ditën e tretë të numërimit të votave, Xho Bajden u kërkoi bashkatdhetarëve të tij të bënin durim:“Demokracia është nganjëherë e rrëmujshme!”. Bajden, dhe bashkë me të shumica e amerikanëve, e mbrojnë demokracinë si forma e vetme e qeverisjes, që e lejon një popull të lirë të drejtojë punët e veta publike.
Shumë kinezë mund të mos jenë aq të sigurt për këtë. Ata mund t’i konsiderojnë zgjedhjet në SHBA si një shembull tjetër të rënies amerikane, dhe të lavdërojnë sistemin e tyre autoritar si “superior”, siç tha presidenti Xi Jinping.Të paktën tani kinezët e dinë me kë do të përballen në Shtëpinë e Bardhë për 4 vitet e ardhshme.
Edhe pse ata janë ndoshta të lehtësuar që lënë pas vitet e trazuara të Trumpit, ata që janë më të mirë-informuar janë të vetëdijshëm se as Biden nuk do të jetë një partner i lehtë. Në fillim të vitit 2020, kur ishte ende kandidat për nominimin nga demokratët, Bajden i paraqiti pikëpamjet e tij mbi politikën e jashtme në një artikull në “Foreign Affairs”.
“Shtetet e Bashkuara, duhet të ashpërsojnë tonet me Kinën. Nëse Kina lejohet të veprojë siç do, ajo do të vazhdojë të grabisë teknologjitë e kompanive amerikane dhe pronën e tyre intelektuale. Pekini do të vazhdojë t’i përdorë subvencionet, për t’i garantuar kompanive të saj një avantazh të padrejtë, dhe një hap përpara në dominimin e teknologjive dhe industrive të së ardhmes”- shprehej ai.
Kjo qasje tingëllonte shumë e ngjashme me atë të presidentit në ikje Donald Trump. Dhe në fakt, për sa i përket politikave mbi Kinën, nuk ka asnjë ndryshim thelbësor midis demokratëve dhe republikanëve. Të dyja palët bien dakord se kërcënimi më serioz i sigurisë kombëtare vjen nga Kina.
Sot, në Uashington ekziston një konsensus dy-partiak se strategjia e SHBA-së për “angazhim” me Kinën, që nga koha e Riçard Niksonit dhe Henri Kisingerit, ka dështuar.
Dy nga mendimtarët kryesorë strategjikë të administratës Obama, Kurt Kampbell dhe Xheik Sallivan, shkruan në gushtin e vitit 2019 po në “Foreign Affairs” se “gabimi themelor i atij angazhimi, ishte të supozohej se ai mund të sillte ndryshime thelbësore në politikën, sistemin, ekonominë dhe politikën e jashtme kineze”.
Ata propozuan një strategji të “bashkëjetesës së menaxhuar”, duke kombinuar elemente të konkurrencës dhe bashkëpunimit. Mbrojtja e rendit liberal ndërkombëtar nuk është vetëm një detyrë evropiane ose amerikane, është një detyrë perëndimore.
Nën Bajdenin, axhenda e SHBA mbi Kinën ka të ngjarë të përqëndrohet tek të njëjtat çështje si tani:konfliktet mbi tregtinë dhe teknologjinë; shtypjen e ujgurëve në Xinjiang; shkatërrimin e sundimit të ligjit në Hong Kong; militarizimin e Detit të Kinës Jugore; dhe kërcënimin në rritje ndaj Tajvanit.
Për disa nga këto probleme, Xho Bajden mund të dëshmohet si një partner edhe më i vështirë për Pekinin sesa ka qenë Trump. Politika e Bajdenit në raport me Kinën do të jetë ndoshta më parimore dhe më pak transaksionare se sa ajo e paraardhësit të tij.
Bajden do ta vërë më shumë theksin tek demokracia dhe të drejtat e njeriut, çështje për të cilat Trump nuk u interesua ndonjëherë.
Bajden e njeh mjaft mirë Xi. Xi e vizitoi Amerikën në vitin 2011, përpara se të bëhej Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Komuniste Kineze dhe president i Kinës. Bajden, që në atë kohë ishte zëvendespresident nën Barak Obaman, ishte mikpritësi i tij.
Që të dy biseduan me orë të tëra. Prandaj ishte e habitshme kur Bajden, si një kandidat demokrat për president, tha në një debat në shkurtin e këtij viti mbi Xi-në: Ky djalë nuk ka asnjë element demokratik në qeverisjen e tij. Ai është një bandit!”. Pra nuk ka dyshime se Bajden e sheh Kinën e Xi-së si një kërcënim dhe një konkurrencë serioze.
Për Kinën, dallimi kryesor midis Bajden dhe Trump, është se i pari nuk do të përpiqet ta përballet i vetëm me Pekinin. Në artikullin e tij në “Foreign Affairs”, Bajden propozoi ndërtimin e “një fronti të bashkuar aleatësh dhe partnerësh të SHBA-së, për t’u përballur me sjelljet abuzive të Kinës dhe shkeljet e të drejtave të njeriut”.
Është e vërtetë që SHBA-ja dhe Evropa ndajnë interesin e bashkëpunimit me Kinën në çështje globale të tilla si ndryshimi i klimës, mos-përhapja e armëve bërthamore dhe mbrojtja e shëndetit. Gjatë presidencës Trump, Kina është përpjekur të fusë një pykë midis SHBA dhe Evropës.
Njëkohësisht, Pekini është përpjekur të përçajë evropianët. Kinezët ftuan gjashtëmbëdhjetë (tani shtatëmbëdhjetë) vende të Evropës Lindore dhe Qendrore për të formuar 16 + 1 (tani 17 + 1), duke u bërë atyre premtime ekonomike dhe financiare.
Ata gjithashtu u përpoqën të minojnë unitetin evropian duke joshur vende të tilla si Greqia dhe Italia në Nismën e Brezit dhe Rrugës. Zyrtarisht, Kina ka mbështetur gjithnjë Bashkimin Evropian. Në realitet, politika e saj ka synuar të kundërtën.
Ngritja e Kinës është pa dyshim sfida më e madhe e politikës së jashtme dhe e sigurisë, me të cilën përballen SHBA-ja dhe Evropa. Mbrojtja e rendit liberal ndërkombëtar nuk është vetëm një detyrë evropiane ose amerikane, ajo është një detyrë e Perëndimit.
Po kështu, mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe demokracisë në Xinjiang, Hong Kong dhe Tajvan, duhet të jetë një përpjekje e përbashkët perëndimore. Ne nuk kemi luksin të jemi të përçarë, por siç propozoi Bajden duhet të veprojmë me unitet. Tani që ai së shpejti do të banojë në Shtëpinë e Bardhë, ka ardhur koha të nisim një dialog serioz mbi një politikë të përbashkët ndaj Kinës.
Në të dy anët e Atlantikut, ne e dimë që demokracia mund të jetë e rrëmujshme. Por për mbrojtjen e saj ia vlejnë të gjitha përpjekjet tona, dhe këtë duhet që ta bëjmë së bashku./“European Council of Foreign Relations”
Fraksion.com