Bullgaria pengon hapjen e negociatave të Shkupit me BE-në
Bullgaria ka në plan të shprehë të martën kundërshtimin e saj ndaj fillimit të bisedimeve të pranimit në Bashkimin Evropian të Maqedonisë së Veriut, ndërkohë që dy vendet ende nuk i kanë zgjidhur mosmarrëveshjet mbi historinë dhe gjuhën, tha ministrja e Jashtme Ekaterina Zaharieva.
Ministrat e Çështjeve Evropiane të BE pritet të diskutojnë mbi nisjen e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut më 17 nëntor. Nëse ndonjë vend voton kundër kornizës për negociatat, bisedimet e pranimit nuk mund të fillojnë zyrtarisht.
“Bullgaria po i thotë ‘jo’ fillimit të negociatave, por ne nuk i themi ‘jo’pranimit të Maqedonisë së Veriut në BE,” tha zonja Zaharieva për televizionin privat BTV të dielën.
Ajo tha se Maqedonia e Veriut nuk po e zbaton traktatin e miqësisë midis dy fqinjëve ballkanikë të nënshkruar në vitin 2017 dhe ndjek politika të bazuara në urrejtjen ndaj Bullgarisë.
Sofja kërkon që fqinji i saj të njohë se kombësia dhe gjuha e Maqedonisë së Veriut ka rrënjë bullgare dhe që t’i japë fund retorikës anti-bullgare. Shkupi argumenton se identiteti dhe gjuha e tij nuk janë të hapur për diskutim.
Pavarësisht bisedimeve të muajit të kaluar që përfshinë edhe Gjermaninë, dy fqinjët ballkanikë ende nuk kanë arritur një marrëveshje. Gjermania shpreson që negociatat me Maqedoninë e Veriut të mund të fillojnë tani që Berlini ka presidencën e rradhës së BE-së deri në fund të vitit.
“Askush nuk po e konteston të drejtën e tyre për të vetë-përcaktuar kombësinë e tyre dhe ta quajnë gjuhën e tyre siç u pëlqen. Por nuk mund të pajtohemi me atë që kjo e drejtë të bazohet në urrejtje, vjedhje të historisë dhe mohim të Bullgarisë,” tha ministrja Zaharieva.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, tha se ishte i përgatitur për një hap të tillë dhe se kishte ende kohë deri në fund të dhjetorit kur të thirrej konferenca e parë ndërqeveritare për bisedimet e pranimit.
Fraksion.com