AktualitetBota+Të fundit

Pompeo fillon turneun në vendet evropiane dhe të Lindjes së Mesme

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka mbërritur në Paris të Francës. Kjo është ndalesa e parë e turneut në shtatë vende evropiane dhe të Lindjes së Mesme.

Turneu në Francë, Turqi, Gjeorgji, Izrael, Katar, Arabi Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe po ndodhë në kohën kur Pompeo dhe shumica e partisë Republikane nuk e kanë pranuar humbjen e presidentit, Donald Trump, ndaj demokratit Joe Biden në zgjedhjet presidenciale që u mbajtën më 3 nëntor.

Pompeo nxiti një valë kritikash më 10 nëntor pasi gjatë një konference për media tha se “do të ketë një tranzicion të qetë të një administrate të dytë Trump”.

Derisa kryediplomati amerikan nuk e ka pranuar rezultatin e zgjedhjeve, pjesa më e madhe e botës, përfshirë udhëheqësit e shtatë vendeve që do t’i vizitojë, e kanë uruar presidentit e zgjedhur, Biden.

Në Paris, Pompeo do të takohet me presidentin francez, Emmanuel Macron, ministrin e Jashtëm, Jean-Yves Le Drian dhe zyrtarë të tjerë të lartë.

Bisedat pritet të jenë të vështira, pasi Franca ka pasur mosmarrëveshje me administratën Trump për një sërë çështjesh, duke filluar nga ndryshimi i klimës dhe deri te tregtia me Iranin.

Le Drian tha më 13 nëntor se ai do të diskutonte për shqetësimet në lidhje me njoftimet se Trump planifikon të shpejtojë tërheqjet e trupave nga Afganistani, Iraku dhe Siria.

Pas Parisit, Pompeo shkon në Stamboll të Turqisë. Udhëtimi atje tashmë ka shkaktuar fërkime me zyrtarët turq.

Ai nuk ka takime të planifikuara me zyrtarë të lartë turq. Departamenti i Shtetit tha se arsye për këtë janë “çështjet e agjendës”.

Dy vendet aleate të NATO-s kanë një sërë mosmarrëveshjesh mbi çështje që përfshijnë Sirinë, Iranin, tensionet detare me Greqinë dhe Qipron, tensionet midis Armenisë dhe Azerbajxhanit dhe marrëdhëniet ushtarake të Turqisë me Rusinë.

Pompeo do të takohet me liderin shpirtëror të krishterëve ortodoksë në botë, Patriarku Bartholomew, për të diskutuar lirinë fetare.

Ministria e jashtme turke në një deklaratë tha se Shtetet e Bashkuara duhet së pari “të shikohen në pasqyrë” dhe të adresojnë racizmin, krimet e urrejtjes dhe islamofobinë.

Në Izrael, Pompeo do të takojë kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.

Të dy pritet të diskutojnë një sërë çështjesh, duke përfshirë marrëdhëniet diplomatike të Iranit dhe Izraelit me disa shtete arabe.

Vizita e Pompeos pritet gjithashtu të nxisë polemikë. Gazeta izraelite Haaretz dhe faqja e lajmeve Axios raportuan se Pompeo do të bëhet sekretari i parë i shtetit që do të vizitojë një nga vendbanimet e Izraelit në territoret e okupuara palestineze dhe gjithashtu të vizitojë Rrafshnaltën e Golanit, aneksimi i së cilës nga Izraeli u njoh nga ana e administratës së Trumpit.

Kryeministri palestinez, Mohammed Shtayyeh, e përshkroi vizitën në një vendbanim hebre një “precedent të rrezikshëm”.

Pompeo do të udhëtojë edhe në Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katar, ku Irani pritet të jetë në krye të agjendës.

Në Gjeorgji Pompeo do të shprehë “mbështetjen e SHBA për sovranitetin dhe integritetin territorial të Gjeorgjisë” si dhe do të “nxisë përparimin e mëtejshëm në reformat demokratike”, sipas Departamentit të Shtetit.

Fraksion.com