“Pse s’e hap COVID 4”; Raporti i Dick Marty,Rama: Lulëzim sqaro dosjen që përgatite për sajesën e Shtëpisë së Verdhë
Kryeministri Edi Rama ju drejtua sërish kreut të PD-së, Lulzim Basha duke e pyetur se çfarë dosje ka përgatitur për sajesën e Shtëpisë së Verdhë.
“Lulëzim! Mos u fshih pas Covidit dhe lëri akuzat për ata që po luftojnë përditë në vijën e parë kundër virusit, po përgjigju për faktin që ke qenë bashkë me mjekun peruan në bërjen e dosjes për Shtëpinë e Verdhë! E thuaje çfarë mendon për votën e PD-LSI pro raportit të Dick Marty”, shprehet Rama në reagim të deklaratës së Bashës i cili e pyet kryeministrin pse nuk e hap spitalin COVID 4.
“Edi Rama leri shpifjet dhe lojërat politike, përgjigju pse nuk e hap COVID 4? Pse të infektuarit dergjen nëpër ambulanca e nuk ka vend për ta? Pse vazhdon vjedhjen dhe i le të sëmurët të vdesin rrugëve. Pasi shkatërrove ekonominë, tani po ju merr shqiptarëve jetën dhe shëndetin”, tha kreu i PD-së.
Sërish ka reaguar kryeministri Rama duke u shprehur që Basha nuk duhet të fshihet pas Covidit, por të përgjigjet për faktin që ka qenë bashkë me mjekun peruan në bërjen e dosjes për Shtëpisë së Verdhë.
“Lulëzim! Mos u fshih pas Covidit dhe lëri akuzat për ata që po luftojnë përditë në vijën e parë kundër virusit, po përgjigju për faktin që ke qenë bashkë me mjekun peruan në bërjen e dosjes për Shtëpinë e Verdhë! E thuaje çfarë mendon për votën e PD-LSI pro raportit të Dick Marty”, tha Rama.
Basha ka reaguar duke shprehur se, “në vend që të bëjë detyrën, Edi Rama bën zëdhënësin e Beogradit. Ai është përgjegjës për jetët e humbura dhe shëndetin e shqiptarëve. Të sëmurët dergjen nëpër ambulanca sepse spitalet janë mbushur plot. Pasi shkatërroi ekonominë ai ka humbur kontrollin mbi pandeminë”.
Kryeministri reagoi duke u shprehur se, “Lulëzim! Sa më shumë i shmangesh sqarimit për lidhjen tende me shpifesirën e Dick Marty dhe rrekesh të fshihesh pas pllakës së gramafonit të prishur, aq më shumë pohon se je kujdestari i dosjes së Shtëpisë së Verdhë dhe përkthyesi i maskuar i shqiptarëve të marrë në pyetje”, shprehet Rama.
Rama në reagimin e tij thekson se Lulzim Basha nuk bëhet dot lideri i opozitës, po mbetet kukulla e Saliut, Ilirit dhe Monikës.
“Fakti që nuk ke gjunjë të përballesh as me pyetjen, pse e votoi PD-LSI raportin e Dick Marty kur ne e votuam kundër(?), tregon se ti as ke qenë, as je, as bëhesh dot lideri i opozitës, po mbetesh kukulla e Saliut, Ilirit dhe Monikës”, thekson Rama.
Basha ka reaguar sërish ndaj kryeministrit Rama duke theksuar se Rama nuk ka mbajtur premtimet për shëndetësi falas.
“Çfarë lidhje ke ti me të vërtetën, Edi Rama? Premtove shëndetësi falas, gënjeve. Premtove 300 mijë vende pune, gënjeve. Papunësia në Shqipëri arriti majat. Premtove se do ulësh çmimet e ushqimeve dhe ilaçeve-gënjeve. Çmimet vetëm janë rritur. Premtove se do ulësh taksat , gënjeve. Premtove se do ulësh çmimin e energjisë, gënjeve. Po vjen dita të largohesh gënjeshtar. Është koha për një të ardhme të re për Shqipërinë”, shprehet Basha.
Basha ka vijuar me reagimet e tij ndaj kryeministrit Rama duke theksuar se, “të gjithë e kuptojnë se ti gënjen e shpif vetëm për të larguar vëmendjen nga pyetjet që ju interesojnë vërtet qytetarëve:Pse qindra shqiptarë kanë humbur jetën nga COVID si rezultat i dështimit tënd? Pse spitalet janë mbushur plot dhe të sëmurët dergjen në ambulanca dhe korridore? Pse e ke shkatërruar ekonominë? Pse nuk ju jep ndihmë financiare të prekurve nga COVID? Pse e ke mbyllur derën e BE? Shqiptarët kanë nevojë për një kryeministër që punon për ta e jo një klloun të dështuar si Rama. Bashkë do ti fitojmë zgjedhjet dhe do shërojmë plagët e hapura nga ai”.
Fraksion.com