AktualitetRajoniTë fundit

Pengesat në rrugën e integrimit të Maqedonisë së Veriut drejt BE-së

Me përparimin e Maqedonisë së Veriut në procesin e integrimit drejt Bashkimit Evropian, duket se një bllokadë e re po i paraqitet asaj nga vendi fqinj, Bullgaria, për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me çështje të historisë. Bullgaria ka arritur që të mos lejojë miratimin në Bruksel të kornizës negociuese me Shkupin dhe kjo e zvarrit mbajtjen e konferencës ndërqeveritare me Bashkimin Evropian, ku autoritetet maqedonase shpresonin se do të marrin një datë përfundimtare për hapjen e bisedimeve.

Sofja tashmë ka paraqitur kushte të tjera, krahas atyre që janë pjesë e marrëveshjes për fqinjësi të mirë me fqinjin e saj përëndimor e që kanë të bëjnë me figura historike, mbi përkatësinë etnike të të cilave po kërkohen zgjidhje në Shkup dhe Sofje. Një ndër këto figura është Goce Dellçev, një revolucionar i fillim-shekullit të njëzetë. Tashmë Bullgaria ngul këmbë që gjuha maqedonase të identifikohet si gjuhë që ka rrënjët tek bullgarishtja apo një dialekt i saj, i kodifikuar nga zyrtarët komunistë jugosllavë dhe maqedonas pas Luftës II Botërore, sipas palës bullgare – një kusht ky i papranueshëm për Shkupin.

Sipas njoftimeve nga media në Bruksel, BE-ja do të presë arritjen e një përparimi midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut mbi këto mosmarrëveshje për të vazhduar me konferencën ndërqeveritare. Shkupi pret ndihmë nga kancelarja gjermane Merkel dhe angazhimin e Komisionerit për zgjerim Oliver Varhelyi për arritjen e një kompromisi.

Qëndrimi bullgar në Shkup vlerësohet si shkelje e Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë midis dy vendeve të arritur para tre vjetësh.

Kryeministri Zoran Zaev e quajti një sinjal jomiqësor qëndrimin e ri bullgar, teksa u shpreh se pala maqedonase nuk e ka shkelur në asnjë mënyrë marrëveshjen me Bullgarinë dhe se akti i fundit i Sofjes “ka krijuar një ndjenjë të papëlqyeshme”, por se beson që është një mesazh për përshpejtimin e zgjidhjeve të mosmarrëveshjeve mbi të cilat po diskutohet midis grupeve të punës së dy shteteve të udhëhequra nga ministritë e jashtme.

Analisti Xhelal Neziri thotë se bllokada bullgare nuk pritej, ndërsa shton se vetoja eventuale ndaj integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE do të mund të shkaktonte për rrjedhojë hapësira sidomos për ndikimin rus.

Ky proces i negociimit mund të zgjasë prej 5 deri në 10 vjet, mirëpo ajo që më së shumti e demotivon vendin, skenën politike, qeverinë, faktorë të ndryshëm shoqërorë është se sërish ballafaqohemi me një bllokadë tjetër, e cila mund të stërgjasë njësoj si me rastin e integrimit në NATO”, thotë ai.

Zoti Neziri mendon se zvarritja e mëtutjeshme e hapjes së bisedimeve do të mund të humbiste besueshmërinë e opinionit publik këtu tek Bashkimi Evropian si një sistem vlerash.

Një disponim i tillë në opinionin publik gjithsesi se do të shfrytëzohet nga faktorë të jashtëm malinj për të ushtruar ndikimin e tyre, me qëllim që të zmbrapset vendi nga integrimet evropiane”, thotë analisti.

Autoritetet në Shkup, megjithatë shpresojnë se kjo nuk është një veto bullgare në Bashkimin Evropian për përparimin e Maqedonisë së Veriut dhe se do të gjendet një zgjidhje për mosmarrëveshjet. Komentatorët politikë në Shkup vlerësojnë se Sofja i ka ngritur këto çështje për qëllime të brendshme politike, ndërsa ndodhet para mbajtjes së zgjedhjeve.

Takimi i radhës në nivel ministrash të BE-së do të mbahet më 17 nëntor. Por, problemi i vjetër bullgaro-maqedonas vështirë se mund të zgjidhet brenda një jave.

 

Fraksion.com