Rama i nxjerr videon Bashës: Eh mër Lul mër Lul, mirë ti që fle gjumë në këmbë po ata që…
Kryeministri Edi Rama ka publikuar sot një video ku tregohen tre raste në të cilat kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është shfaqur me qytetarë të cilët thonë se nuk janë ndihmuar pas tërmetit, por që në fakt në bazë të dokumenteve rezulton se janë mbështetur nga qeveria sipas ligjit.
“Eh mër Lul mër Lul, mirë ti që fle gjumë në këmbë po ata që të çojnë tek “hallexhinjtë” pse të bëjnë qesharak xhanëm me këta që të nxjerrin në pritë”, shkruan Rama, teksa publikon videon e takimeve të Bashës me qytetarët.
Në videon e publikuar nga Kryeministri thuhet se, “kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha i është rikthyer vizitave në familjet e dëmtuara nga tërmeti i një viti më parë, që sipas tij, mbeten të harruara nga shteti shqiptar. Këtë herë, ai u ndal në Ishëm të Durrësit, por nëse menduat se Lulzim Basha shkoi për të qarë vërtet ndonjë hall, do të zhgënjeheni. Ja se çfarë fshihet vërtetë pas teatrit të radhës së Lulzim Bashës”.
“Personi që po shihni të shfaqet krah të kreut të opozitës është zoti Liman Fili, që rezulton të jetë një nga aktivistët kryesorë të Partisë Demokratike në fshatin Gjuricaj të Ishmit. Ai nuk është lënë në rrugë të madhe dhe as është braktisur nga qeveria aktuale sepse për këtë qeveri qytetarët meritojnë të trajtohen të gjithë njësoj, qofshin të majtë apo të djathtë. Kështu ekipi i parë me tre ekspertë kosovare e ka cilësuar shtëpinë e tij gjatë akt ekspertimit me dëme të lehta. Më pas një ekip i dytë me inxhinier të Durrësit,e ka cilësuar shtëpinë me nivele të dëmit DS2. Për rrjedhojë, ai është shpallur fitues i grantit për rikonstruksionin dhe ka firmosur me bashkinë Durrës kontratën për të përfituar shumën prej 250 mijë lekësh”, thuhet në video.
Në video tregohet z. Fili, i cili i thotë kreut të PD, Basha se nuk i ka marrë 250 mijë lekët se s’ka për çfarë i do.
Por, përkundër asaj që thotë z. Fili se ai nuk i ka marrë këto para, në video tregohet edhe fatura që vërteton se tanimë paratë janë të tijat.
Në video tregohet edhe Agim Muharremi – kryetar i Partisë Demokratike në Lalëz.
“Muharremi është përfitues nga programi i rindërtimit, të cilit do t’i ndërtohet shtëpia e re sipas vendimit të Këshillit Bashkiak nr. 72 datë 20.07.2020. Siç tregon edhe ky dokumentacion, Agim Muharremi vijon të jetë përfitues i bonusit të qirasë sipas vendimit të Këshillit Bashkiak. Familja e tij ka përfituar vazhdimisht ndihma ushqimore nga njësia administrative Ishëm”, theksohet në video.
“Së fundmi, Lulzim Basha ndalet edhe në familjen e Shpëtim Kurtit. Personat që ai po takon janë bashkëshortja dhe vëllai i z. Kurti. Shpëtim Kurtit i është prishur shtëpia nga tërmeti dhe do t’i rindërtohet e re sipas vendimit të Këshillit Bashkiak nr. 72 datë 20.07.2020”, thuhet në video.
Në video shfaqet foto, e cila tregon se sapo janë hequr të gjitha inertet nga vendi ku do të ndërtohet shtëpia e re, e cila do të fillojë nga ndërtimi i themeleve pas pak ditësh.
“Familja e Shpëtim Kurtit është trajtuar me ndihma ushqimore nga njësia administrative Ishëm. Ai vetë nuk ka aplikuar për të përfituar bonus qiraje”, thuhet në video.
“Sërish, fatkeqësisht, Lulzim Basha vijoi me avazin e përdorimit si mish për top, të qytetarëve që i ofrohen Partisë Demokratike në një shfaqje të shëmtuar, që i serviret gjithë Shqipërisë përmes medias, si akti demonstrues i një politike të vjetër e primitive që nuk njeh as principe dhe as moral”, theksohet në videon e publikuar nga Kryeministri Rama.
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi reagoi sot ndaj videos së publikuar nga kryeministri Edi Rama.
“Nuk e fsheh dot dështimin asnjë montazh kryeministror, sikundër asnjë video me projekte 3D nuk e mbulon dot të vërtetën e dështimit të ndërtimit të banesave të dëmtuara nga tërmeti i vjetshëm”, tha Bylykbashi.
“Fakt është që një vit nga tërmeti qytetarë të qarkut të Durrësit janë ende në çadra ku po i zë dimri i dytë. Për Edi Ramën, anëtarët dhe aktivistët e opozitës nuk kanë të drejtë as të zhdëmtohen si të gjithë të tjerët për dëmet që u ka shkaktuar tërmeti, as të ankohen për diskriminimin politik që u bën pushteti”, theksoi ai.
Fraksion.com