AktualitetOp-EdTë fundit

Çfarë mund të presë Gjermania nga një president Biden?

Në Gjermani ndiqen me vëmendje rezultatet e zgjedhjeve presidenciale në SHBA. Përparësia e re e Joe Bidenit regjistrohet me dëshirë, pas prognozave të para të papritura pas përfundimit të votimeve.

Prognozat e para për rezultatet e votimeve presidenciale në SHBA në Gjermani u pritën disi me habi. Të gjitha sondazhet paraprake sugjeronin një përparësi të qartë për Joe Bidenin. Numërimi i votave nuk ka përfunduar dhe kjo përparësi e thellë për Bidenin ende mund të evidentohet. Por deri në këtë moment kjo nuk është e sigurtë.

Përveç skepticizmit, që është shtuar për punën e instituteve demoskopike, në Gjermani rezultatet e deritashme të këtyre zgjedhjeve presidenciale kanë qartësuar një fakt: se zgjedhja e Donald Trumpit president, katër vjet më parë, nuk ishte aksidentale.

Rezultatet e deritashme të votimit tregojnë se për miliona vetë në SHBA janë të pranueshme qëndrime, sjellje, veprime të politikanëve, për të cilat në Evropën demokratike politikanët do të skualifikoheshin.

Opinioni publik në Gjermani dhe në Evropë është shumë i ndjeshëm p.sh. për raportin publik që kanë liderët me të vërtetën, me faktet; apo për qëndrimin që mban një lider ndaj njerëzve me ngjyrë apo me fe tjetër.

Kurse në SHBA një pjesë shumë e madhe e amerikanëve të bardhë shohin si urgjente çështje të tjera.

Duket se ata kanë frikë se po u ikën nga duart kontrolli mbi vendin e tyre: përballë emigrantëve të vjetër e të rinj; ata mendojnë se shtete të huaja apo organizma të fuqishme po i mashtrojnë amerikanët;  se problemet që kanë ata burojnë nga fakti se elita politike e ekonomike në SHBA vazhdon të pasurohet.

Në këto shqetësime ka elementë të justifikuar e të vërtetë. Por kjo nuk është kryesorja. Fakt që është që deri para Trumpit pakkush i kishte bërë shumë amerikanë të bardhë, kryesisht njerëz të thjeshtë, të besonin se mund t’u zgjidhen këto halle.

Donald Trumpi u përçoi me mjeshtëri ndjesinë e shpëtimtarit. Kjo ndjesi rezultoi më e rëndësishme për ta se çdo teprim i Presidentit. Dhe ata e shpërblyen sërish Trumpin në kutitë e votimit, duke ia falur e justifikuar edhe menaxhimin që i bëri pandemisë së Coronas.

Qëndrime gjermane për përfundimin e zgjedhjeve

Në SHBA kemi një realitet të ri, me të cilin duhet të përshtatemi, i tha DW sekretari i shtetit në Ministrinë e Jashtme gjermane, Niels Annen.

Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert, tha se qeveria gjermane po i ndjek me vëmendje zhvillimet pas votimit. Dhe se ajo ka besim në institucionet demokratike të SHBA. Por qeveria gjermane nuk i komenton zhvillimet.

Më konkretisht u shpreh në mëngjesin pas zgjedhjeve ministrja e Mbrojtjes e Gjermanisë, Annegret Kramp-Karrenbauer. Ajo tha se kemi “një situatë shumë shpërthyese në SHBA”. Kramp-Karrenbauer shtoi se “është një situatë që mund të çojë në një krizë kushtetuese në SHBA”.

Bideni si president do të mirëpritej në Gjermani

Joe Bideni është politikan, në dallim nga Donald Trumpi, që është biznesmen. Bideni ka qenë zëvendëspresident në administratën e Barack Obamas. Dhe e ka nisur karrierën që në vitin 1974, kur bota kishte më shumë rregulla.

Pritet që stili i komunikimit dhe toni i Joe Bidenit të jenë të ndryshme nga ato të presidentit Trump. Pak vetë dyshojnë që Bideni do të sillet me respekt me aleatët.

Nga një president Biden në Gjermani presin që të riparojë deformimet  e katër viteve të fundit, në marrëdhëniet me Gjermaninë. Ai ka thënë se do ta rishikojë vendimin e Trumpit për të tërhequr një të tretën e 36.000 ushtarëve amerikanë, që janë stacionuar në Gjermani.

Bideni ka qëndrim të ngjashëm me Gjermaninë ndaj Rusisë: qëndrim kritik, por realist.

Ashtu si Gjermania, Joe Bideni është për mbrojtjen e klimës. Deklarata e tij se SHBA do të aderojë sërish në Marrëveshjen e Parisit për Klimën, po u zgjodh ai President, u regjistrua me vëmendje në Gjermani.

Por një kthesë 180 gradëshe në marrëdhëniet dypalëshe, në Gjermani nuk e presin as me Bidenin. Që në vitin 2017 kancelarja Merkel tha se “ne duhet ta marrim në duart tona fatin tonë, natyrisht në miqësi me SHBA”.

Problemet që do të mbeteshin edhe me Bidenin

Në ekonomi: besohet që fërkimet tregtare me BE do të mbeteshin pak a shumë të njëjta. Sipas disa vëzhguesve, edhe Bideni është proteksionist. Ai mbron koncepte që orientohen në tregun e brendshëm amerikan.

Të tjerë thonë se fakti që ai e ka rrethuar veten me këshilltarë të sigurisë të Obamas, do të ndikojë që ai të riafrohet me multilateralizmin liberal.

Por edhe Bideni dhe ekipi i tij tërheqin vëmendjen se bota dhe SHBA kanë ndryshuar thellësisht katër vitet e fundit.

Në politikën e jashtme: në këto katër vjet, Gjermania dhe Evropa janë larguar disi nga parja e SHBA si qendër e botës. Ka nisur një emancipim, për ta marrë fatin vetjak në dorë.  Fjala për „sovranitetin evropian” dëgjohet tani si në Berlin, ashtu edhe në Paris. Këtë e ka ndikuar edhe fakti që Evropa nuk ka më rëndësinë e mëparshme për SHBA. Vëmendja amerikane tani është përqendruar te Kina dhe te Rusia.

Përsa i përket Joe Bidenit, pozicioni i tij ndaj Kinës është i ngjashëm me atë të Trumpit.

Nga ana tjetër, edhe për Evropën, tani kanë fituar rëndësi të re marrëdhëniet me Kinën.  Megjithëkëtë, nisur nga mënyra si e vështrojnë botën sot në Gjermani është e qartë: në rast detyrimi për të vendosur mes Kinës apo SHBA, Gjermania do të vendoste për SHBA. SHBA mbeten aleati kryesor.

Pak ndryshime në qëndrimin amerikan ndaj sigurisë

Në politikën e sigurisë: presioni mbi Bashkimin Evropian, mbi Gjermaninë për të shtuar investimet në mbrojtje pritet të vazhdojë. Aq më tepër që kjo këmbëngulje amerikane ka nisur që në kohën e Obamas.

Njëkohësisht, gjithnjë e më shumë, në opinionin publik gjerman kërkesat amerikane në këtë drejtim po gjejnë mbështetje. Politikanë dhe analistë kërkojnë që Gjermania (dhe Evropa) të ndërgjegjësohet për peshën që ka në politikën evropiane e botërore – dhe të veprojë në përputhje me këtë. Me një politikë të jashtme më të vendosur, duke shtuar misionet ushtarake për paqen, mbrohen më mirë edhe interesat vetjake. Një politikë e jashtme pa kërcënim ushtarak nuk ka fuqinë e duhur, kujtoi këto ditë një studiues.

Pesha e një mandati të dytë të Presidentit Trump

Jo pak vëzhgues thonë se katër vjet administratë Trump qenë të përballueshme, por katër vjet të tjera mund të shkaktojnë ndryshime të qëndrueshme në të ardhmen e Perëndimit.  Të Perëndimit në kuptimin e grupit të shteteve që ndajnë vlera të përbashkëta, vlera të lirisë, të një rendi liberal botëror.

Një reduktim i Perëndimit në një koncept etnik-nacional ka kohë që po zë vend në botë. Në BE ky koncept ka ende pak mbështetës. Përsa i përket Donald Trumpit ai nuk është larg këtij përfytyrimi, Perëndimin ai e sheh më tepër si identitet kulturor të përbashkët.

Një mandat të dytë të Trumpit do ta ndienin edhe marrëdhëniet Evropë-SHBA, pra BE – SHBA.  Presidenti Trump dihet që e shpalli si kundërshtar BE, kryesisht në politikën tregtare. Ai u përgatit t’i vërë sanksione, dogana Bashkimit Evropian.

U vendos një „armëpushim” për këtë në vitin 2018, i negociuar nga ish-Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker. Por paralajmërimet amerikane ndaj BE nuk kanë pushuar dhe disa sanksione amerikane ndaj produkteve evropiane (si vera, djathi) tashmë janë vënë./DE

 

Fraksion.com