Projektbuxheti 2021 i prezantohet Kuvendit; Denaj: Mbështet rimëkëmbjen, rritje ekonomike 5.5% vitin e ardhshëm
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj, prezantoi sot në seancën plenare të Kuvendit projektligjin për Buxhetin 2021, ku theksoi se “kryefjala e këtij projektbuxheti është “Rimëkëmbja Ekonomike”.
Denaj tha se “kjo është në vazhdën e përpjekjeve për të tejkaluar me sukses pasojat negative të dy fatkeqësive natyrore, që goditën vendin tonë në mënyrë të njëpasnjëshme”.
“Në këtë kontekst, vijoi Denaj, ulëm pritshmërinë mbi rritjen ekonomike e cila në fund të vitit 2020 parashikohet të jetë në nivelin -6.1% por parashikojmë rritje në terma pozitive në vitin ne vijim. Presim një rritje prej 5.5% duke e rikthyer dukshëm ekonominë shqiptare drejt trendit të rritjes së qëndrueshme. Besimi ynë bazohet jo vetëm në faktin se situata është e menaxhuar mirë por dhe fondamentet bazë të ekonomisë janë të qëndrueshëm dhe solid”.
Edhe vlerësimi me i fundit i agjencisë ndërkombëtare Moody’s konfirmoi vlerësimin B1 dhe qëndrueshmërinë e financave publike, tha ministrja.
Duke u ndalur në zhvillimet makroekonomike të këtij viti Denaj tha se, “gjashtëmujori i parë i vitit 2020 rezultoi me një rënie ekonomike në nivelin – 6.6%. Në mbarë globin, masat shtrënguese sollën rënie të fortë të eksporteve, konsumit familjar dhe investimeve në ekonomi, kryesisht atyre private. Gjatë kësaj periudhe, konsumi final shënoi rënie prej 6.9%, ndërsa investimet totale patën një kontraktim të fortë prej rreth 13.2%”.
“Përveç sektorit të bujqësisë dhe atij të pasurive të paluajtshme, të cilët shënuan një rritje pozitive gjatë 6-mujorit (respektivisht 3% dhe 4.2%), të gjithë sektorët e tjerë prodhues rezultuan me rënie. Rënia e aktivitetit ekonomik u reflektua në një masë të konsiderueshme edhe në tregun e punës. Në tremujorin e dytë të vitit 2020, papunësia u regjistrua në 12.5% nga 11.6% që ishte në fund të vitit 2019”- tha Denaj
Sipas saj, fondamentet më kryesore makroekonomike, kanë qëndruar stabël: pozicioni i jashtëm i ekonomisë, i cili vijon të jetë solid dhe llogaritë financiare patën zhvillime pozitive
“Emetimi i suksesshëm i Eurobondit prej 650 milionë euro duke siguruar një injektim të fortë në ekonomi, të flukseve hyrëse në monedhë të huaj. Kemi patur një rritje të rezervave valutore, duke eleminuar implikime serioze në aspekte të tjera të ekonomisë. Kursi i monedhës vendase ka qëndruar mjaft stabël ndaj monedhave kryesore të huaja. Gjithashtu, dy agjensitë prestigjioze të vlerësimit Standard and Poors dhe Moody’s kanë ri-konfirmuar në raportet e tyre më të fundit vlerësimin e mëparshëm për qëndrueshmerinë dhe perspektiven e ekonomise shqiptare në përgjithesi dhe financave publike në veçanti”- theksoi ministrja.
Denaj theksoi se, kreditimi ashtu edhe depozitat në sistem kanë vijuar të rriten me ritme relativisht të mira, ku ndër të tjera efekt ka pasur si akordimi i dy Garancive Sovrane për biznesin privat. Në çdo rast, nuk mund të përjashtohet ndonjë rritje në vijim e kredive të këqija, si pasojë e efektit të pandemisë.
“Deri në shtator, rezulton se ekzekutimi në tërësi i buxhetit është plotësisht brenda parametrave kryesorë siç përcaktohet në rishikimin e fundit të ligjit vjetor të buxhetit. Në 5 vitet e para pandemisë, financat publike siguruan një trajektore të sigurt dhe optimale të konsolidimit fiskal, e materializuar në parametra kyç të qëndrueshmërisë. Por, na duhet të themi se në këtë viti dhe në vitin e ardhshëm, si rrjedhojë e dy goditjeve të njëpasnjëshme, deficiti i përgjithshëm buxhetor dhe borxhi do të zgjerohen. Ky zgjerim i defiçitit fiskal do të jetë krejt i përkohshëm dhe i targetuar mirë, për të amortizuar efektet e dy goditjeve”- tha ministrja.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë parashikon që deficiti fiskal prej 6.5% e PBB në fund të 2021 dhe balanca korrente do të rikthehet në shifra pozitive që në vitin e ardhshëm 2021, në nivelin prej 0.8% të PBB. Për rrjedhojë, niveli i borxhit publik do t’i rikthehet qartësisht trajektores rënëse në vitin 2021 me një vlerë rreth 78.6% të PBB-së nga rreth 80.9% që pritet në vitin 2020.
Objektivi ne afat mesëm është një raport borxhi prej 68% mbi PBB në 2025 dhe balance primare pozitive në 2023 sikurse ligji organik i buxhetit i ratifikuar në parlament në korrik të këtij viti ka vendosur.
Fraksion.com