AktualitetTë fundit

Padia e të shkarkuarve të vettingut ndaj anëtares së KPK-së, Brunilda Bekteshit, SPAK refuzon nisjen e procedimit penal

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, ka vendosur që të mos fillojë procedimin penal për anëtaren e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Brunilda Bekteshi.

Sipas mediave, komisionerja e vettingut u kallëzua në SPAK nga shoqata “Drejtësi për Drejtësinë”, ndërkohë që kjo padi nuk u mor parasysh. Gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar nga vettingu të organizuar në një shoqatë drejtuar nga prokurori i shkarkuar Genti Trenova, nisën një fushatë ndaj anëtarëve të komisioneve të KPK-së, mes tyre dhe Brunilda Bekteshi, ndërsa e akuzojnë atë për fshehje të të ardhurave.

Bekteshi, pavarësisht se ka marrë mbështetjen e ndërkombëtarëve, u padit nga Shoqata “Drejtësi për Drejtësi” pranë Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, ndërsa nisën një fushatë shpifjesh nëpër rrjete sociale duke shkelur ligjin për mbrojtjen e te dhënave personale të sanksionuar me ligj.

Kujtojmë se në fillim të muajit të shkuar, komisioneri i Zgjerimit në BE, Oliver Varhelyi, i shoqëruar nga shefja e ONM-së Genoveva Ruiz Calavera, zhvilluan një takim me anëtarët e Komisionit të Vettingut, mes tyre edhe znj. Bekteshi, duke iu dhënë atyre mbështetje në misionin e tyre. Edhe Ambasada amerikane doli me nje prononcim ne mbeshtetje te punes korrekte dhe profesionale te anetareve te KKP!

Në një reagim në “Twitter”, Genoveva Ruiz Calavera, dha mesazhin e qartë të saj, ndërsa bëri thirrje që të ndalen sulmet e padrejta ndaj disa anëtarëve të Vettingut.

“Vizitë e rëndësishme në institucionet shqiptare të vettingut me 🇪🇺 Komisionerin @OliverVarhelyi. Vettingu vazhdon me të njëjtin profesionalizëm dhe përkushtim për të siguruar që reforma në drejtësi të japë më të mirën për qytetarët shqiptarë. Sulmet e padrejta duhet të ndalen”, shkroi Calavera.
Ndërkohë, Komisioneri i Zgjerimit, Oliver Varhelyi do të shprehej se BE mbështet fuqimisht procesin e verifikimit, i cili është thelbësor për integrimin e Shqipërisë.

“Takim shumë i mirë me anëtarët e institucioneve të vetingut. Unë përgëzoj profesionalizmin dhe punën e tyre të palodhur. #EU mbështet fuqimisht procesin e verifikimit, i cili është thelbësor për ta sjellë Shqipërinë më pranë BE. Reforma në drejtësi duhet të vazhdojë”, shkruante Varhelyi, në një postim në rrjete sociale pas takimit me anëtarët e Komisionit të Vettingut.

 

Fraksion.com