AktualitetRajoniTë fundit

Rekord raste dhe viktimash nga covid-19; Greqia drejt mbylljes totale

Qeveria greke duket se do të shpalle mbyllje të përgjithshme. Sipas informacioneve të fundit pritet që nesër në orën 12 të mesditës kryeministri grek Mitsotakis t’i drejtohet përsëri popullit me një mesazh televiziv për t’i komunikuar këtë masë ekstreme në përballimin e valës së dytë të pandemisë.

Karantina e përgjithshme që thuhet se do të zgjasë nga 15 deri në 30 ditë është propozuar nga specialistët përkatës të cilët janë tepër të shqetësuar nga rritja e numrit të rasteve por edhe të vdekjeve.

Mbyllja do të fillojë prej të premtes në mëngjes dhe pritet të sqarohen edhe hollësitë e fundit sa ju përket shkollave fillore dhe gjimnazeve nëse do të vazhdojnë të jenë të hapura apo do të mbyllen.

Sot është shënuar përsëri rekord rastesh dhe vdekjesh në Greqi nga covid 19.

Sipas organeve greke të Shëndetësisë në 24 orët e fundit janë regjistruar 2646 te prekur  prej tyre 823 në Selanik që ndodhet në ditën e dytë të karantinës bashkë me Serresin dhe 588 në Athinë.

Numri i përgjithshëm i rasteve prej fillimit të pandemisë ka shkuar ne 46892, ndërsa numri i viktimave në 673 ,prej tyre vetëm sot 18 . Mosha mesatare e viktimave është 79 vjçc dhe 96.4% ka pasur historik të rënduar shëndetësor.

Gjithashtu edhe numri i personave në terapi intensive ka shkuar në 179 .

Rritje të konsiderueshme të rasteve ka pasur në Larisa 111, në Drame 85, në Rodhopi 83, Serres 72,  Evro 61, Kavala 57,  Ksanthi 55, Pella 54, Kilkiz 51,  Imathia 44.

 

Fraksion.com