Austria pranon se nuk është marrë me paralajmërimet rreth sulmuesit
Ministri i Brendshëm i Austrisë, Karl Nehammer, pranoi se autoritetet austriake nuk janë marrë me një paralajmërim të Sllovakisë për një person që ka kryer sulme, këtë javë në Vjenë.
Katër njerëz janë qëlluar për vdekje dhe 23 të tjerë janë plagosur, të hënën në mbrëmje.
Policia në Sllovaki tha se i ka informuar autoritetet austriake për “të dyshuar nga Austria” që kanë bërë përpjekje të blejnë municion në Sllovaki, në muajin korrik.
Sipas disa raporteve, udhëtimi për të blerë municion ka dështuar, pasi personi i armatosur nuk ka pasur licencë.
Sipas mediave gjermane, 20-vjeçari, i cili është qëlluar për vdekje nga policia nëntë minuta pasi ka filluar sulmin, ka udhëtuar në Sllovakinë fqinje për të blerë municion për pushkë sulmi Kalashnikov AK-47, por është kthyer me duar të zbrazëta.
Policia sllovake tha se i ka informuar kolegët austriakë menjëherë, por nuk komentoi më shumë.
Ministri i Brendshëm austriak, Nehammer, tha të mërkurën se informacioni ishte hetuar nga agjencia vendase e inteligjencës BVT, porse nuk është ndërmarrë asnjë veprim tjetër.
“Diçka padyshim që ka shkuar keq në komunikim”, tha Nehammer për gazetarët, duke shtuar se dëshiron një hetim të pavarur për të gjetur pse.
Autoritetet austriake e kanë identifikuar “terroristin islamik” si Kujtim Fejzullai, me origjinë nga Maqedonia e Veriut.
Sipas tyre, Fejzullai është burgosur për 22 muaj, në prill të vitit 2019, për përpjekjet e tij për të udhëtuar në Siri për t’u bashkuar me xhihadistët e grupit Shteti Islamik, por është liruar pas vetëm tetë muajsh.
Fraksion.com