“Amerika zgjedh presidentin”; Trump: Është mashtrim, do t’i drejtohemi Gjykatës së Lartë
Amerika zgjedh presidentin. Fituesi duhet të sigurojë 270 vota elektorale. Zgjedhje me pjesëmarrje rekord. Vëmendja tek presidenti, por sot votohet edhe për një-të-tretën e Senatit dhe për të gjitha, 435 vendet e Dhomës së Përfaqësuesve.
8:43
Trump: Është mashtrim, do t’i drejtohemi Gjykatës së Lartë
Presidenti Trump bëri një deklaratë në Shtëpinë e Bardhë, ku deklaroi fitore në zgjedhje edhe pse numërimi i votave është ende në proces.
Ai tha se “një grup njerëzish mjaft të trishtuar po përpiqen t’u heqin të drejtën e votimit një grupi tjetër dhe ne nuk do të pranojmë këtë.”
Presidenti përmendi një numër shtetesh ku ai tha se kishte fituar, por ku organizatat mediatike nuk kanë shpallur ende një fitues.
“Ky është mashtrim ndaj publikut amerikan, është një turp për vendin tonë,” tha Presidenti Trump.
“Ne po përgatiteshim t’i fitonim këto zgjedhje, sinqerisht ne i fituam këto zgjedhje. Prandaj synimi ynë tani është të sigurojmë integritetin për të mirën e këtij vendi. Ky është një moment i madh, është njëp mashtrim i madh ndaj vendit tonë. Ne duam që ligji të përdoret në mënyrën e duhur. Prandaj do t’i drejtohemi Gjykatës së Lartë.”
8:21
Trump fiton Floridën
Presidenti Trump fiton shtetin e Floridës me 29 vota elektorale. Dy kandidatët e shihnin Floridën si shumë të rëndësishme në këtë garë dhe e kanë vizituar shumë shpesh këtë shtet gjatë fushatës.
Pritet deklarata e Presidentit Trump
Presidenti Trump pritet të bëjë një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë. Më herët ai deklaroi në Twitter: “Ne jemi shumë më përpara por ata po përpiqen të vjedhin zgjedhjet. Ne nuk do t’i lejojmë ata kurrë ta bëjnë këtë. Votat nuk mund të hidhen pasi të jenë mbyllur qendrat e votimit.”
Trump fiton në Teksas dhe Montana, Biden në Minesota
Trump fiton në Teksas me 38 vota elektorale, Montana me 3 vota dhe në Ajova me 6, Biden në Minesota me 6. Nebraska ndahet: Trump fiton 4 vota, Biden 1. (Dy shtete i ndajnë votat elektorale në varësi të votës popullore që fitojnë kandidatët).
Presidenti Donald Trump fiton në Misisipi, demokrati Joe Biden fiton në Rhode Island.
Biden në Twitter pas postimeve të Presidentit Trump: U takon zgjedhësve të shpallin fituesin
Pas postimeve në Twitter të Presidentit Donald Trump, kandidati demokrat Joe Biden, shkruan në Twitter se “nuk më takon as mua, as Donald Trumpit të shpallim votuesin. U takon votuesve”.
“Ne ndjehemi mirë për pozicionin ku jemi. Ne besojmë që jemi në rrugën drejt fitores”.
Më herët zoti Biden kishte folur me të njëjtin ton në komentet nga Uilmington, Delauer.
Fraksion.com