AktualitetBota+Të fundit

Zgjedhjet presidenciale të SHBA: Pesë çështjet kryesore

Amerikanët votojnë për presidentin në 3 nëntor. A do të zgjedhin ata Donald Trumpin apo Joe Biden-in, kjo varet nga mënyra se e shohin përgjigjen ndaj pandemisë së koronavirusit, abortit dhe çështjeve të tjera kryesore.

Koronavirus

Në fillim të vitit, askush në SHBA nuk kishte dëgjuar për koronavirusin. Pothuajse 11 muaj më vonë, tema mbizotëron në diskursin politik në Uashington.

“Ndoshta do të jetë çështja më e rëndësishme për zgjedhjet e vitit 2020”, tha për DW Laura Merrifield Wilson, asistente profesore e shkencave politike në Universitetin e Indianapolisit.

Në SHBA kanë vdekur më shumë se 230.000 vetë. Deri në 2 nëntor, numri i të infektuarve ishte më shumë se 9.2 milionë. Papunësia në SHBA është më e lartë sesa ka qenë në çdo moment që nga Depresioni i Madh. Vetë Presidenti Donald Trump ishte i sëmurë me COVID-19, kjo e ndaloi atë të mbante tubime të mëdha për fushatën për më pak se dy javë. Mbajtja e një maske, një masë e thjeshtë, për të cilën ekspertët e shëndetit po rekomandojnë për të ngadalësuar përhapjen e virusit, është kthyer në një çështje politike të nxehtë.

Nëse presidenti aktual ka bërë një punë të mirë për menaxhimin e vendit në pandemi, përgjigjja nga kjo varet nga ai që pyet.

“Këto zgjedhje në shumë mënyra janë bërë një referendum për këtë temë të tetë, nëntë muajve të fundit,” i tha DW Dr Ashwin Vasan, mjek dhe profesor asistent në Qendrën Mjekësore të Universitetit Columbia në New York. “Nëse administrata aktuale ka gjetur një përgjigje, ka krijuar një plan për menaxhimin e koronavirusit dhe e ka zbatuar atë plan.”

Konservatorët thonë se pa veprimet e Trumpit, situata do të ishte edhe më e keqe. Liberalët kundërshtojnë dhe thonë se mijëra njerëz nuk do të kishin vdekur, po do të kishte mbështetur më parë administrata kufizime më të rrepta në të gjitha shtetet dhe të kishte dëgjuar ekspertët e shëndetit publik.

Sigurimi shëndetësor

Një çështje tjetër kritike është sigurimi shëndetësor. Kjo u bë e qartë në seancën e konfirmimit të gjykatëses Amy Coney Barrett, e zgjedhur nga Trumpi për vendin bosh në Gjykatën Supreme të liruar pas vdekjes së gjykatëses Ruth Bader Ginsburg. Gjykata më e lartë e SHBA-së do të dëgjojë menjëherë pas zgjedhjeve një diskutim, nëse Akti i Sigurimit të Përballueshëm (ACA, i njohur gjithashtu si “Obamacare”) duhet të shfuqizohet – diçka që Trumpi është përpjekur të bëjë gjithë kohën e tij në detyrë. Coney Barrett, e cila ka folur në mënyrë kritike për ACA në të kaluarën, nuk tha nëse ishte në favor të shfuqizimit.

Nëse njerëzit janë të kënaqur me sigurimin shëndetësor që kanë – ose nuk kanë – nën ACA dhe nëse duan të mbajnë “Obamacare”, kjo ka të ngjarë të luajë një rol të madh në ditën e zgjedhjeve.

Kriza e koronavirusit, gjithashtu, e ka bërë sigurimin shëndetësor një çështje thelbësore për t’u marrë parasysh për votuesit. “Ne jemi në mes të një pandemie, ku mungesa e sigurimeve shëndetësore te njerëzit po çon në vështirësi në marrjen e kujdesit, por edhe në shpenzime masive mjekësore dhe në fatura pasi të shërohen nga COVID, pa folur për efektet afatgjata të COVID-it, për të cilat ende po mësojmë shumë “, tha Vasan.

Ekonomia

“Ekonomia është e domosdoshme për votuesit amerikanë, veçanërisht kur nuk po ecën mirë,” tha Wilson.

Dhe nuk po ecën. Para shpërthimit të pandemisë, Trumpi kishte një periudhë tre vjeçare të një ekonomie të fortë dhe të shëndetshme. Por, duke filluar me bllokimet në mars, bizneset e vogla u desh të mbyllen në të gjithë vendin dhe në mes të prillit të këtij viti, më shumë se 23 milionë amerikanë ishin të papunë. Kjo është një shkallë papunësie prej 14.7%, nga 3.5% vetëm dy muaj më parë, sipas Byrosë së Statistikave të Punës.

Ky është një lajm i keq për Presidentin Trump, i cili vazhdimisht theksonte ekonominë e fortë të SHBA gjatë tre viteve të tij të para në post. Me kaq shumë amerikanë që po përpiqen të gjejnë punë ose të rrijnë në shtëpitë e tyre, ai po përpiqet të bindë votuesit se ai është njeriu më i mirë për të rikthyer ekonominë në rrugën e duhur, pas një krize që ishte e papritur dhe e detyruar të ndikonte në ekonominë nën çdo presidencë.

Për kandidatin demokrat Joe Biden, është më e lehtë – ai fajëson Trumpin për keqmenaxhimin e ekonomisë në pandemi dhe premton se me planin e tij “Rindërto më mirë”, që amerikanët punëtorë dhe ata të shtresës së mesme do të dilnin shumë më mirë, sesa po të ndodhen edhe katër vite të tjera nën Donald Trumpin.

Në një situatë si kjo aktualja, “zakonisht është më e vështirë për personin në post, sepse ai është personi që ka qenë në pushtet, personi që ka përcaktuar politikat, i cili ka qenë përgjegjës,” tha Wilson.

Tensionet racore

Vrasja e George Floyd nga policia në Minneapolis në maj ka çuar në një ringjallje të lëvizjes Black Lives Matter (BLM) në të gjithë vendin. Tensionet racore kanë qenë një pjesë e historisë së SHBA që kur skllevërit e parë mbërritën në brigjet e Anglisë së Re, por “kjo verë”, tha Wilson, ishte “sigurisht një moment historik”.

Amerikanët e bardhë e të zinj po protestojnë jo vetëm për dhunën e policisë, që i ka ata në shënjestër, por edhe për atë që ata e perceptojnë si racizëm të sistemit në SHBA. Ata po bëjnë thirrje për reformë në shkallë të gjerë të policisë.

Kritikët e lëvizjes, shumica e tyre konservatorë, janë përqendruar në dhunën në disa qytete gjatë protestave. Kështu ka bërë edhe Presidenti Trump, i cili i quajti fjalët “Black Lives Matter” një “simbol të urrejtjes” dhe ka premtuar se do të rivendosë ligjin dhe rendin në rrugë.

Kjo është revoltuese për mbështetësit e BLM, por funksionon për bazën e Trumpit, thotë Wilson.

Liberalët kritikojnë që qëndrimi i Trump po ndez flakët e tensioneve, në vend të asaj që ata besojnë se duhet të bëjë presidenti i tyre: afrimin e vendit.

Aborti

“Aborti është kritik në garën presidenciale të vitit 2020”, thotë Wilson.

Kjo temë ka më shumë rëndësi për një pjesë të madhe të bazës së Trumpit: Evangjelikanët e Bardhë. Ky grup përbën vetëm rreth 15% të popullsisë amerikane, por ata shkojnë në qendrat e votimit në një numër të madh dhe përbënin më shumë se një të katërtën e të gjithë votuesve në 2016, sipas sondazheve. Shumë nga këta të krishterë protestantë konservatorë mbajnë vlera që janë diametralisht të kundërta me martesat e shumta dhe divorcet e Trumpit, për shembull.

Por siç shprehet një postim në Instagram nga grupi anti-abort “Studentët për jetën”: “E urreni Trumpin? Ne urrejmë më shumë abortin”. Trumpi konsiderohet si zgjedhja përfundimtare e anti-abortit: Ai ishte presidenti i parë që mori pjesë në “Mars për jetën” kundër abortit.

Për amerikanët në skajin e kundërt të spektrit, kjo është një arsye tjetër për të mos votuar për Trumpin. Aborti “është gjithashtu një çështje e rëndësishme për një grup votuesish liberalë,” tha Wilson. “Ekziston një lëvizje e madhe brenda partisë Demokratike.”

Këta votues e shohin të zgjedhurën e Trumpit për Gjykatën Supreme, Coney Barrett si një rrezik për Roe v. Wade, vendimin që u ka garantuar grave akses në aborte të sigurta dhe të ligjshme për 47 vitet e fundit.

Për Demokratët, një votë për Biden është gjithashtu një votë për gjyqtarët liberalë, që ai mund të emërojë gjatë mandatit të tij./DW

 

Fraksion.com