AktualitetBota+Të fundit

Joe Biden kthehet në banesën e fëmijërisë: Nga këtu në Shtëpinë e Bardhë (VIDEO)

Kandidati demokrat presidencial Joe Biden vizitoi qytetin e tij të lindjes, Scranton, ditën e zgjedhjeve në shtetin vendimtar të Pensilvanisë, duke folur për “rivendosjen e mirësjelljes në Shtëpinë e Bardhë”, nëse ai fiton.

Ai u zotua të bashkojë një komb të ri dhe të rindërtojë një klasë të mesme të rrënuar nga pabarazia ekonomike. Biden u brohorit nga rreth 200 mbështetës, ndërsa vizitoi shtëpinë e tij modeste të fëmijërisë në Green Ridge, një zonë në periferi mbuluar me gjethe, pak jashtë qendrës së qytetit.

Atje, ai nënshkroi në një mur të dhomës së ndenjes: “Nga kjo shtëpi në Shtëpinë e Bardhë me bekimin e Zotit. Joe Biden 11-3-2020 ”, para se të dilte jashtë – i veshur me një maskë të zezë, për të parandaluar përhapjen e koronavirusit – më pas përshëndeti fqinjët dhe ‘përplasi’ bërrylat me votuesit, shkruan Guardian.

Janet Evans, një mësuese në pension që jeton përballë banesës së fëmijërisë së Biden , tha se ishte e sigurt që ish-nënkryetari do të fitonte Pensilvaninë dhe Shtëpinë e Bardhë. “Ai me të vërtetë kujdeset për njerëzit mesatarë. Dhe siç thotë shpesh, ai nuk është nga Park Avenue. Ai është nga Scranton, North Uashington Avenue dhe ne njerëzit e duam dhe i besojmë ”.

“Ai është i vetmi që mund të na nxjerrë nga kjo pandemi në mënyrë të sigurt dhe të shpëtojë qindra mijëra jetë. Sigurisht që do të jetë një luftë, por në fund të ditës, unë besoj se Joe do ta luftojë Covid-19”, tha Evans, 64 vjeç. Katherine Hose, 25, një studente, shtoi: “Unë po votoj për Biden për shkak të sistemit arsimor dhe sepse ai kujdeset për gratë. Por mendoj se do të jenë zgjedhje ku kandidatët nuk do jenë larg”.

Rruga e Trump drejt Shtëpisë së Bardhë u garantua në 2016 pasi mblodhi 20 votat e çmuara të kolegjit elektoral të Pensilvanisë duke mundur Hillary Clinton me vetëm 44 292 vota në shtet, nga më shumë se 6 milionë vota në total. Të dy kandidatët, Biden e Trump kanë bërë ndalesa të shumta fushate në të gjithë Pensilvaninë gjatë javës së kaluar, duke kulmuar në një prag zgjedhjesh të mbushura me personazhë “yje” për demokratët, kur Lady Gaga, një aktiviste, performoi në Pittsburgh me Biden dhe këngëtari John Legend u bashkua me kandidatin e Biden Kamala Harris, në Filadelfia.

 

Fraksion.com