AktualitetBota+Të fundit

Garat përcaktuese për kontrollin e Senatit

Marrja e kontrollit të Senatit dhe kryesisht suksesi ose dështimi i axhendës së presidentit të ardhshëm amerikan, varen nga garat elektorale në disa shtete, për të cilat anketat tregojnë rezultate të ngushta në orët e fundit të zgjedhjeve të 3 nëntorit.

Nga 35 vende në Senatin amerikan për të cilat votohet sot, shtatë prej tyre vlerësohen si gara ku nuk mund të parashikohet rezultati përfundimtar deri në numërimin e votës së fundit, thuhet në një raport nga organizata jopartiake “Cook Political Report”. Demokratët kanë nevojë të fitojnë tre vende nëse kandidati demokrat Joe Biden fiton Shtëpinë e Bardhë ose katër vende nëse Presidenti Doanld Trump rizgjidhet për një mandat të dytë. Nëse dy partitë fitojnë nga 50 vende secila në Senat, është vota e nënpresidentit ajo që vendos.

Republikanët aktualisht kanë shumicën në Senat 53-47, por nga 35 vendet për të cilat votohet sot, atyre u duhen të mbrojnë dy herë më shumë vende se demokratët.

Vetëm një nga 12 senatorët demokratë që janë sot në garë, rrezikon të humbasë ndaj rivalit republikan. Në Alabama, ish trajneri i futbollit Tommy Tuberville, i mbështetur nga Presidenti Trump, gëzon epërsi prej disa muajsh përballë Senatorit demokrat Dough Jones.

Ndikimi i Presidentit Trumë do të jetë faktori vendimtar për shumicën e garave të ngushta zgjedhore, thotë profesoreja Michelle Swers e Universitetit Georgetown.

“Nëse presidenti fiton një shtet, ka të ngjarë që kjo të reflektohet edhe në fitoren e kandidatit për Senat. Nëse ai nuk ka mbështetjen e duhur në një shtet, kjo do të ishte një pengesë e madhe të cilën ata duhet ta kompensojnë.”

GARAT NË DISA PREJ SHTETEVE TË RËNDËSISHME

Ajova

Casey Burgat, drejtor i programit të Çështjeve Legjislative në Shkollën Pasuniversitare të Menaxhimit të Politik të Universitetit George Washington, shpjegon se si duken prirjet deri tani.

“Prirja e dinamikës së garës kombëtare të lë të kuptosh ndikimin që ka në garat e nivelit shtetëror.”

Zoti Trump fitoi Ajovën në vitin 2016 me një diferencë prej nëntë pikësh, por tani ky shtet konsiderohet si i pavendosur në garën presidenciale. Sipas disa sondazheve Senatorja republikane Joni Ernst renditet pas kundërshtares demokrate Theresa Greenfield.

Në këtë shtet bujqësor, fitorja e republikanes Ernst është e lidhur me Presidentin Trump për shkak të mbështetjes së saj për luftrat tregtare të presidentit me Kinën, që kanë patur ndikim tek feremerët. Si zonja Ernst ashtu edhe kundrështarja e saj Greenfield kanë theksuar lidhjet e tyre me fermat, por Senatorja Ernst ngeci në debatin e kohëve të fundit kur u pyet që të citonte çmimin e shitjes së misrit, ndërkohë që demokratja Greenfield iu përgjigj menjëherë një pyetje të ngjashme mbi çmimin e sojës.

Sipas profesores Swers mënyra se si Presidenti Trump e trajtoi pandeminë po ashtu po ndikon në garën e zonjës Ernst.

“Ka qënë e vështirë për të sepse ajo është marrë me pandeminë e koronavirusit. Guvernatorja e Ajovës po ashtu është republikane dhe ajo nuk ka dashur të japë një urdhër për përdorimin e maskave dhe nuk është treguar e ashpër. Ajova ka përjetur një përhapje të madhe të koronavirusit dhe kjo gjë e ka dëmtuar zonjën Ernst.”

Karolina e Veriut

Gara më e kushtueshme për në senat në historinë e Amerikës, me më shumë se 250 milion dollarë shpenzime, ka qënë gjithashtu një nga më interesantet gjatë muajit të fundit. Senatorit aktual të Karolinës së Veriut, Thom Tillis iu desh të izolohej pasi i infektuar me koronavirus në fillim të tetorit. Nga ana tjetër, kundërshtari i tij demokrat Cal Cunningham u tërhoq nga fushata pasi pranoi një lidhje jashtëmartesore. Por sipas një përmbledhje të anketave nga “Real Clear Politics” të zhvilluara që nga njoftimet e të dy kandidatëve, del se zoti Cunningam ende kryeson me rreth 2.5% përballë zotit Tillis.

Karolina e Veriut ka fituar reputacionin e një precedenti kombëtar si rezultat i demografisë së saj të larmishme, një përzjerje votuesish ruralë, urbanë dhe periferikë. Zonja Swers thotë se vëmendja kombëtare si një shtet i rëndësishëm dhe i pavendosur për zgjedhjet presidenciale, me gara konkurruese në të gjitha nivelet, ka një ndikim në garën për Senat.

Zonja Swers thotë se ka gjasa që zoti Cunningham ka bërë përllogaritjet se pak do të thotë më shumë, përsa i përket daljes së tij në fushatë, për të kontrolluar dëmin mbi lidhjen e tij jashtëmartesore.

Mejn (Maine)

Senatorja republikane Susan Collins e shtetit Mejn, e cila kërkon të rizgjidhet, duket se i ka bërë llogaritë e saj gjatë javëve të fundit, ndërsa hodhi votën e vetme kundër mes republikanëve për konfirmimin e kandidates së Presidentit Trump për Gjykatën e Lartë Amy Coney Barret. Ndërsa zonja Collins tha se ishte e shqetësuar në lidhje me konfirmimin kaq pranë zgjedhjeve të gjykatëses, analistët thonë se vendimi i saj ka gjasa të jetë bazuar në sfidën me të cilën ajo përballet nga demokratja Sara Gideon. Kandidatja demokrate grumbulloi miliona dollarë pas votimit të Senatores Collins për konfirmimin e gjykatësit Brett Kavanaugh në Gjykatën e Lartë pas procesit të debatueshëm të konfirmimit të tij në vitin 2018. Vota e saj bëri që shumë njerëz në shtetin Mejn të vinin në dyshim identitetin e saj si një zë i pavarur në Senat.

“Nuk kishte asnjë mënyrë manovrimi që Susan Collins të dilte e fituar,” tha zonja Swers, e cila theksoi se senatorja Collins duhet të ruajë mbështetjen e bazës së zotit Trump në atë shtet.

“Ata do të jenë shumë të zemëruar nga vota e saj kundër gjykatëses Amy Coney Barret, dhe mund të mos jenë shumë të motivuar që të votojnë për të. Nga ana tjetër, ajo është mbështetur shumë tek republikanët e moderuar, gratë dhe demokratet e moderuara për ta mbështetur atë në të kaluarën, kryesisht gratë që mbështesin abortin. Këta votues nuk janë të kënaqur nga mbështejta e saj për gjykatësin Brett Kavanaugh.”

Sipas anketës së fundit nga Kolegji Emerson, të zhvilluar pasi votimit për të emëruaren në Gjykatën e Lartë, demokratja Gedeon kryeson me 6% përballë zonjës Collins.

Xhorxhia

Nëse kontrolli i Senatit vjen deri tek një vend i vetëm, kjo prirje ka të ngjarë të kalojë përmes shtetit jugor të Xhorxhias, ku po zhvillohen dy gara këtë vit. Meqë njëra mund të përfundojë në balotazh, përbërja përfundimtare e Senatit mund të mos dihet derisa të zhvillohet balotazhi më 5 janar të vitit 2021.

Aktualisht, mesatarja e anketave të përpunuara nga “Real Clear Politics” tregon kryesimin e kandidatit Raphael Warnock me 15.6%. Por për shkak se ka dy republikanë, Kelly Loeffler në detyrë dhe kongresmenin Doug Collins, që kandidon për senator, zoti Warnock ka gjasa të mos marrë shumicën e duhur prej 50% për fituar në nëntor. Kandidati demokrat Jon Ossof kryeson përballë Senatorit republikan David Perdue me 1%, sipas “Real Clear Politics”.

Karolina e Jugut

Një garë tjetër tejet e ngushtë është edhe ajo mes Senatorit republikan Lindsey Graham, një nga mbështetësit më të zjarrtë të Presidentit Trump në Senatin amerikan, i cili po përballet me demokratin Jaimie Harrison. Ish-kryetar i Partisë Demokrate për këtë shtet, Harrison ka mbledhur shumën rekord prej 57 milion dollarësh në tremujorin e fundit.

Montana

Në shtetin Montana, të fituar nga zoti Trump në vitin 2016 me 21%, kandidati demokrat Steve Bullock kryeson me 1% përballë Senatorit Steve Danies, sipas sondazhit nga “MSU-Billing” të zhvilluar në mesin e tetorit./VOA

 

Fraksion.com