BE: Shqipëria më afër se kurrë për fillimin e negociatave të pranimit
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Çështjet e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë njëkohësisht zëvendëspresident i Komisionit Europian, Josep Borell zhvilloi sot një telefonatë me Kryeministrin Edi Rama.
Përfaqësuesi i Lartë përshëndeti angazhimin e kryeministrit Rama për ta çuar Shqipërinë përpara në rrugën e saj të anëtarësimit në BE dhe përparimin vendimtar për plotësimin e kushteve të vendosura nga konkluzionet e Këshillit të marsit 2020, që vendi është drejt përmbushjes, në funksion të Konferencës së Parë Ndërqeveritare.
“Me Shqipërinë më afër se kurrë për fillimin e negociatave të pranimit në BE, Përfaqësuesi i Lartë nënvizoi nevojën për të vazhduar kryerjen e reformave kryesore të përcaktuara nga Këshilli. Kontributi i të gjitha forcave politike do të jetë i dobishëm për ta çuar vendin drejt hapit të radhës”, thuhet në njoftimin për medie të publikuar në faqen zyrtare të delegacionit të BE-së në Tiranë.
Në lidhje me politikën e jashtme, Përfaqësuesi i Lartë Borrell vlerësoi harmonizimin e vazhdueshëm të Shqipërisë me pozicionet e politikës së jashtme të BE.
Fraksion.com