AktualitetPolitikëTë fundit

Topalli: PD ka sot më pak vota se në ’97, opozita e paaftë të kryej misionin e saj

Ish-kryetarja e Kuvendit, ish-figurë kryesore e Partisë Demokratike, e cila tashmë i është bashkuar nismës “Lëvizja për Ndryshim”, Jozefina Topalli tha gjatë një interviste televizive se, “opozita jo vetëm që nuk është e besueshme por që është treguar e pa aftë për të kryer misionin e saj. Opozita, edhe kur ishte brenda parlament, nuk arriti kurrë nivelin për t’u ballafaqua me argumente”.

E pyetur për kryetarin e opozitës, Lulzim Basha ajo theksoi se, “mes meje dhe Lulzim Bashës ka pasur gjithmonë diferenca ideologjike. Nuk mund të humbësh dy herë në luftë. Djegia e mandateve ishte gabim, sepse nuk ka ndodhur askund një ngjarje e tillë. Nuk ka tradhti më të madhe sesa djegia e mandateve, sepse ia dhuron të gjithë pushtetin kundërshtarit tënd më të madh”.

“Dua t’ju dal për zot atyre njerëzve që janë tradhtuar në kauzat e tyre. Nuk identifikoj udhëheqjen e partisë me Partinë Demokratike. Unë do ta ndihmoj PD-në. E bëj këtë gjë që demokratët e vërtetë të përfaqësohen realisht. Njerëzit po ikin dy herë më shumë sepse nuk gjejnë shpresë as tek mazhoranca as tek opozita. Jam për qeverisjen e PD-së, por pa Bashën. Partia Demokratike ka sot më pak vota se në vitin 1997. Nuk do bëjmë koalicion me asnjë parti. Shqipëria është një vend mizerabël. Emigracioni po njeh rritje shumë të madhe, po ndërtohen pallate dhe po jetohet nga disa në mënyrë përrallore dhe nuk mund të vazhdohet më kështu. Nuk ka pluralizëm real”, theksoi Topalli.

E pyetur pse erdhi ky angazhim i saj gjatë kësaj periudhe Topalli u shpreh se, “ndoshta për të sjellë diçka që ndokujt nuk ia merr mendja”.

“Nuk rri e rezervuar, për kushtet ku ndodhet Shqipëria, ku jetohet në varfëri, e vendi im është afër destabilizimit. Është një vend i vjedhur në përmasa të frikshme, thotë Global Iniciative. Asnjë qeveri në botë nuk rri dot nëse gjysma e popullit është në varfëri. Kemi krizë të gjithanshme dhe vjen për shkak të deligjitimit të vetë forcave politike. Është një fenomen që ka ndodhur në Itali, në Greqi edhe Francë. E për shkak të këtij deligjitimit dhe humbjes së besimit të njerëzve tek forcat politike dhe te politika në përgjithësi ka pasur ndryshime të shumta në jetën politike të këtyre vendeve, siç ishte fenomeni Makron në Francë, Pesë Yjet në Itali, Syriza në Greqi etj”- u shpreh Topalli.

Sipas saj, “për sa kohë që nuk patur asnjë përpjekje për të reformuar forcat politike brenda vetes ato vetëm kanë ardhur duke u tkurrur duke u mbyllur duke vrarë debatin, dhe besimin brenda forcave politike. Është ky shkaku se pse qeveria qëndron në këmbë sepse ke përballë saj një opozitë e cila nuk është e besueshme dhe kjo është një problem real “- tha Topalli.

Lidhur me dekriminalizimin Topalli tha se “ky është një sukses i jashtëzakonshëm i opozitës i vetmi sukses i këtyre 8 viteve dhe ky është sukses i grupit parlamentar në vitet 2013 -2017 dhe nuk është sukses i forcës opozitare, por i deputetëve që kanë qenë në atë  periudhë. Me dekriminalizimin në fakt i kemi bërë një nder vendit dhe shtetit”.

 

Fraksion.com