“Takimi me pedagogët”: Basha bën dy gafa, ngatërron edhe datën e zgjedhjeve; Reagon Balla, i nxjerr kolegjin e të vëllait
Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, sot në ditën e parë të vitit të ri Akademik zhvilloi një takim me pedagogët për problematiket e arsimit të lartë.
Kryedemokrati shprehu shqetësimin për një lajm që i ka ardhur, pasi 5 pedagogë të Fakultetit Ekonomik janë larguar në emigrim.
Sipas Bashës ky është një shqetësim i madh, duke parë që nga Shqipëria po ikin jo vetëm qytetarë të thjeshtë, por edhe njerëz të shkolluar dhe intelektualët, që i duhen vendit.
Gjatë takimit Basha pyeti edhe një nga pedagogët e Fakultetit Ekonomik nëse ky lajm ishte i vërtetë, dhe përgjigja që mori ishte edhe më shqetësuese. Sipas pedagogut, numri i kolegëve të tij të larguar në emigrim gjatë viteve të fundit është më i madh se 5, por ai nuk dha asnjë shifër.
Kryedemokrati Lulzim Basha këtë herë në bashkëbisedimin me pedagogët ka ngatërruar datën e zgjedhjeve.
Duke folur për problemet në arsimin e lartë, Basha u tha pedagogëve se 25 qershori do të jetë data e fillimit të shërimit të plagëve. Një tjetër lapsus i Bashës, pasi zgjedhjet parlametare të vitit të ardhshëm do të mbahen më 25 prill.
Në zgjedhjet e 25 qershorit 2017, Basha si kryetar i opozitës pësoi humbjen e parë ndaj kryeministrit Rama.
“Unë të siguroj që me qeverinë tonë do të marrë fund. 25 qershori është data e fillimit të shërimit të të gjitha plagëve, edhe e plagëve të shërimit të arsimit. Për këtë natyrisht nuk dal t’ju them që jam eksperti dhe unë kam zgjidhjen. Edhe nga ju vetë kanë dalë disa përqasje, por ju garantoj që cilado përqasje që do biem dakort për arsimine lartë, do të jetë përqasje e standarteve europiane, për këtë ju jap garancinë absolute në emrin tim dhe të Partisë Demokratike”, tha Basha para pedagogëve.
Nuk mund të kalonin pa ndonjë reagim lapsuset e Bashës, në kampin kundërshtar.
Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka komentuar menjëherë gafën e radhës të kreut të PD-së Lulzim Basha. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla shkruan se kështu është kur goja të nxjerr të palarat në shesh.
Teksa ishte në bashkëbisedim me studentët, Basha bëri një tjetër gafë në llogaritjen e numrave. Ai tha se studentët me të ardhura 640 milionë lekë, do t’u përgjysmohet tarifa.
Balla ngriti edhe një akuzë të re ndaj Bashës.
Taulant Balla tha se fëmijët me të ardhura 640 milionë lekë shkojnë në shkollën e vëllait të Lulzim Bashës. “Kështu është kur goja të nxjerr të palarat në shesh. Nuk rezistove dot, Lul! Kjo ishtë gafa jote ditore apo gënjeshtër? Fëmijët e atyre me të ardhura 640 milionë lekë, studiojnë në Kolegjin e vllait tënd Lulezim, ose në universitetet e huaja”.
“Apo dhe kjo ishte një pikë në planin tënd pika pika?”, shkroi në Facebook Balla, në reagimin e tij ndaj kryedemokratit, Basha.
Fraksion.com