Basha: Qeveria e PD-së do u paguajë stazhin 10 mijë studentëve çdo vit
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në takim me studentët e Mjekësisë në Qytetin Studenti sot në ditën e parë të fillimit të vitit të ri akademik, ka deklaruar se PD në qeverisje do të paguajë stazhin e 10 mijë studentëve çdo vit.
Në bashkëbisedimin me studentët, Basha tha se qeveria duhej të merrte masat e jo të lejonte studentët që të shpenzonin të gjithë bashkë tashmë miliona euro, përpara se të shpallte mësimin online.
“Ankoheni me të drejtë që qeveria nuk ka njoftuar në kohë për mbylljen e universiteteve dhe të ashtëquajturin kalim online, sepse nuk kanë marrë masa për ta kaluar mësimin online”, tha ai.
“Ju keni bërë të gjithë shpenzime para se të fillonte viti shkollor. Studentët kanë paguar qiratë e shtëpive, kanë lënë punën në qytetet e tyre për të ardhur në shkollë. Pra ka një mungesë totale pandjeshmërie. Kujtohen 3 ditë përpara, ndërkohë që mund t’i kishin marrë masat, sepse kjo situatë dihej dhe duhet të kishin marrë masa që ju të mos kryenit shpenzime të panevojshme në këtë kohë dhe së dyti, të ishin marrë masa që mësimdhënia si në çdo vend tjetër të rajonit të mos ndërpritej, dhe për këtë i kemi kërkuar prej 5 javësh infrastrukturë që do të mundësonte mësimin online për të gjitha shkollat, jo vetëm për universitetin”, tha Basha.
Po ashtu, Basha theksoi se ne do të investojmë gjysmën e fondit të paketës për universitetin për të paguar stazhin e 10 mijë studentëve çdo vit.
“Ai tetë vjet këtë punë ka bërë, mendoni që do ndryshojë 8 vitet e ardhshme? Ndaj them duhet larguar e keqja. Me ne do të ketë një ndryshim të thellë dhe të shpejtë. Ju përmenda çështjen e tarifave që në 2008 ka qenë një nga problematikat kryesore. Ne do të investojmë që studentët shqiptarë të kenë mundësi të bëjnë praktikë. Gjysma e fondit të paketës për universitetin shkon për të paguar stazhin e 10 mijë studentëve çdo vit. Do paguhet nga shteti që nga viti ynë i parë në pushtet. Ata do marrin 30 mijë lekë në muaj para se të shkojnë tek praktika e punës”, tha Basha.
Fraksion.com